ARSIMI NUK ËSHTË SHPENZIM, POR THEMELI I KOMBIT

Një thirrje për dinjitetin e mësuesit dhe të ardhmen e brezave

(Në prag të përfundimit të vitit shkollor)

Etem Xheladini

Nuk ka mision më fisnik, më të shenjtë dhe më atdhetar sesa t’i kushtosh jetën arsimit. Të kalosh dekada pranë nxënësve, të përcjellësh brez pas brezi, të edukosh, të arsimosh dhe të formosh personalitete që nesër do të mbajnë mbi supe fatin e kombit, është një sakrificë që nuk matet me asnjë vlerë materiale.
Të punosh në arsim do të thotë të mbjellësh dije sot për të korrur zhvillim nesër. Do të thotë të ndërtosh themelet e një shoqërie të qytetëruar, të drejtë dhe të përparuar. Kur një mësues, profesor apo edukator punon me përkushtim, së bashku me kolegët e tij, suksesi nuk mund të mungojë. Ai shfaqet në arritjet e nxënësve, në formimin e studentëve dhe në ngritjen e vetëdijes kombëtare e qytetare.
Historia jonë dëshmon se armiqtë e kombit shqiptar gjithmonë kanë pasur frikë nga arsimi. Ata e kanë luftuar shkollën shqipe, gjuhën shqipe dhe mësuesin shqiptar, sepse e kanë ditur se populli i arsimuar nuk mund të nënshtrohet. Për këtë arsye, shumë mësues, profesorë dhe veprimtarë të arsimit janë përndjekur, dënuar e sakrifikuar vetëm pse mbrojtën të drejtën e brezave për dije dhe liri.
Një fat të tillë e kam përjetuar edhe vetë. Përkushtimi ndaj arsimit dhe mbrojtja e vlerave kombëtare shpesh kanë pasur koston e tyre. Por sot, si atëherë, ndihem krenar. Krenar që kam qenë pjesë e një misioni që nuk i shërben vetëm një brezi, por gjithë kombit.
Megjithatë, është shqetësuese që edhe në ditët tona arsimi nuk po trajtohet me seriozitetin që meriton. Shpesh dëgjojmë deklarata për rëndësinë e shkollës dhe të dijes, por në praktikë punëtorët e arsimit vazhdojnë të përballen me vështirësi ekonomike, mungesë vlerësimi institucional dhe kushte që nuk përputhen me peshën e misionit që mbajnë.
Asnjë shtet nuk mund të pretendojë zhvillim, integrim apo përparim pa investuar fuqishëm në arsim. Nuk mund të kërkohen rezultate të mëdha nga mësuesit dhe profesorët, ndërsa mbështetja materiale dhe morale për ta mbetet e pamjaftueshme. Pushteti duhet ta kuptojë se investimi në arsim nuk është shpenzim buxhetor, por investimi më i sigurt për të ardhmen e shtetit.
Prandaj është koha që institucionet të ndërmarrin hapa konkretë për rritjen e dinjitetit ekonomik dhe profesional të punëtorëve të arsimit. Mësuesit dhe profesorët meritojnë paga dinjitoze, kushte më të mira pune, mbështetje profesionale dhe trajtimin që u takon si arkitektë të së ardhmes së kombit.
Njëkohësisht, kam një mesazh për nxënësit dhe studentët. Mos e shihni dijen si detyrim, por si armën më të fuqishme për ta ndryshuar jetën tuaj dhe për ta ndryshuar shoqërinë. Librat, shkolla dhe universiteti janë porta drejt lirisë, zhvillimit dhe suksesit. Kombet që investojnë në dije udhëheqin botën, ndërsa ata që e neglizhojnë arsimin mbeten peng i prapambetjes.
Rinia jonë duhet të jetë më kërkuese, më e angazhuar dhe më e vendosur për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Studentët duhet të jenë zëri i dijes, i meritokracisë dhe i progresit. Historia ka dëshmuar se ndryshimet më të mëdha shoqërore kanë filluar pikërisht nga bankat shkollore dhe auditorët universitarë.
Në prag të përfundimit të këtij viti shkollor, përulemi me respekt para të gjithë mësuesve, profesorëve dhe punëtorëve të arsimit që, pavarësisht sfidave, vazhdojnë të mbajnë ndezur dritën e dijes. Ata nuk ndërtojnë vetëm karriera individuale, ata ndërtojnë të ardhmen e kombit.
Sepse një komb mund të mbijetojë pa shumë gjëra, por kurrë pa arsim. Dhe aty ku nderohet mësuesi, nderohet edhe e ardhmja.

sqShqip