Nga: Etem Xheladini
(Nëntor, 2025)
Të qenurit politikan nuk është një privilegj, por një përgjegjësi. Ai që vendos të merret me politikë duhet të kuptojë se merr mbi vete barrën më të madhe që mund të ketë një qytetar, përfaqësimin e popullit. Për këtë arsye, politikani duhet të jetë shembull i moralit, i qëndrueshmërisë, i maturisë dhe i dinjitetit njerëzor e shoqëror.
Në teorinë e qeverisjes, politikanët konsiderohen si bartës të vullnetit të sovranit, popullit. Por në praktikën tonë, shpesh ndodh e kundërta: politika është shndërruar në një mjet për përfitim personal, në vend që të jetë mjet për zhvillim shoqëror. Për të kuptuar pse ndodh kjo, duhet të kthehemi te kriteret themelore të përzgjedhjes së përfaqësuesve tanë politikë.
Kriteret që duhet të përcaktojnë një politikan apo individ që aspiron të përfaqësojë interesin publik duhet të përmbushë disa kushte themelore: të ketë moshë të pjekur, moral të fortë, qëndrim të drejtë dhe dinjitet personal e profesional. Këto nuk janë thjesht kritere formale, por vlera që përbëjnë themelin e një politike të shëndoshë.
Fatkeqësisht, në realitetin politik shqiptar, qoftë në shtetet amë apo në trojet ku jetojnë shqiptarët, si në Maqedoninë e Veriut, në Luginën e Preshevës apo në Mal të Zi, këto kritere shpesh mungojnë në statutet, programet dhe praktikat e partive politike.
Proceset e përzgjedhjes brenda subjekteve politike shpesh udhëhiqen nga interesa klanore, lidhje familjare apo përfitime të ngushta, e jo nga vlerat morale dhe profesionale të individit.
Politikani është pasqyrë e shoqërisë, atëherë çdo mangësi në sistemin moral të një shoqërie reflektohet drejtpërdrejt në cilësinë e politikanëve të saj. Politikanët e mirë janë produkt i një kulture qytetare që e vlerëson ndershmërinë, përkushtimin dhe dijen. Kur këto mungojnë, në vend të politikanëve të përgjegjshëm, marrin hapësirë individë që e shohin pushtetin si instrument personal.
Politikani që është i ndershëm, dinjitoz dhe i sinqertë, nuk gënjen, nuk mashtron, nuk vjedh, nuk manipulon, nuk tradhton familjen, shoqërinë apo besimin e qytetarëve.
Një njeri që e tradhton familjen e vet, si mund të jetë i ndershëm ndaj qytetarëve? Një njeri që pi, drogohet apo kalon netët në shfrenime, si mund të jetë i aftë të përfaqësojë me përgjegjësi popullin e tij ditën tjetër?
Pushteti është prova më e madhe e karakterit të njeriut. Ai që në jetën private nuk arrin të ruajë moralin dhe dinjitetin, vështirë se mund ta bëjë këtë kur përballet me tundimin e pushtetit. Në shumë raste, përfaqësuesit tanë politikë, pas fitoreve elektorale, shndërrojnë festat në shfrenim moral e turp publik,një tregues i qartë se fitorja shihet si triumf personal, e jo si përgjegjësi ndaj popullit.
Ky fenomen është i dhimbshëm dhe alarmues, sepse tregon se kultura politike është degraduar në një nivel ku fiton ai që ka më shumë mjete e ndikim, jo ai që ka më shumë moral e vlera njerëzore.
Nevoja për ringjallje të moralit politik te shqiptarët është nevojë akude, kudo që jetojnë, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi apo Luginë të Preshevës, kanë nevojë për një ringjallje morale në politikë. Kjo nuk nënkupton vetëm reformë në ligje apo institucione, por një kthesë të thellë kulturore dhe shoqërore: të mos votojmë më për individë që shkelin normat etike, që tradhtojnë besimin familjar, që përdorin pushtetin për pasurim personal apo që e shohin politikën si mënyrë për t’u argëtuar në kurriz të qytetarëve.
Politikani që e do vërtet vendin e vet duhet të jetë i pastër në mendim, në vepër dhe në jetë. Ai duhet të jetë model për të rinjtë, frymëzim për shoqërinë dhe shembull i përulësisë në shërbim të popullit.
Të qenurit politikan nuk është profesion i zakonshëm, është mision moral. Politika pa moral është pushtet pa drejtësi; pushtet pa drejtësi është dhunë ndaj qytetarit.
Prandaj, çdo shoqëri që dëshiron zhvillim të qëndrueshëm duhet të ngrejë në piedestal vlerat njerëzore të atyre që e përfaqësojnë.
Vetëm kur politika të udhëhiqet nga morali, e jo nga interesi personal, atëherë pushteti do të jetë vërtet në shërbim të popullit.

