Gir: BE gjithmonë ka bërë thirrje që të realizohet regjistrimi në Maqedoni
Ambasadori i BE-së në vend, Dejvid Gir në një intervistë për REL thotë se Maqedonia e Veriut si kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet patjetër të realizojë procesin e regjistrimit të popullsisë, transmeton Alsat. Gir inkurajon institucionet që gjatë muajit shtatorë të vazhdojnë realizimin e këtij, siç tha ai “operacioni statistikorë, e jo politik”.
“Regjistrimi është një proces i rëndësishëm, sepse ajo që bën është prodhimi i informacionit demografik që është jetik për të marrë vendime publike përtej kufijve, dhe kjo është arsyeja pse BE gjithmonë ka bërë thirrje që të realizohet regjistrimi. Meqenëse Maqedonia e Veriut është vend kandidat, ne gjithashtu thamë se është e rëndësishme që regjistrimi të kryhet në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Eurostat-i ynë ka punuar ngushtë me Entin Shtetërorë të Statistikave për këtë çështje. Vendimi për shtyrjen e regjistrimit u bazua në një vlerësim të situatës me Kovid dhe kërcënimit nga pandemia. Ka vende të tjera që e kanë bërë të njëjtën gjë dhe është një vendim legjitim i autoriteteve. Me rëndësi është që gjatë regjistrimit në shtator, të realizohet me të vërtetë një operacion statistikor, jo politik. Unë me të vërtetë inkurajoj të gjithë që të përfshihen në mënyrë konstruktive në proces”, tha mes tjerash ambasadori Gir.