Drejtësia është themeli i shtetit të së drejtës, mbrojtëse e lirisë dhe dinjitetit të çdo njeriu, si dhe dëshmia më e fuqishme e pjekurisë së vërtetë të institucioneve. Pa një gjyqësor të pavarur, prokurori profesionale dhe institucione të përgjegjshme, nuk ka siguri juridike, nuk ka barazi dhe nuk ka besim të vërtetë.
“Si ministër i Drejtësisë, përkushtimi im është të ndërtojmë një sistem të drejtësisë ku ligji do të jetë mbi çdo interes, drejtësia nuk do të varet nga pushteti i askujt dhe çdo qytetar do të ketë të drejtë të barabartë për mbrojtje dhe trajtim të drejtë. Na nevojitet një gjyqësor që vendos në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe brenda një afati të arsyeshëm. Një prokurori që vepron me profesionalizëm, vendosmëri dhe pa selektivitet. Institucione që do ta arsyetojnë besimin jo me fjalë dhe premtime, por me rezultate konkrete, integritet dhe përgjegjësi”, shkruan në urimin e Shasivarit.
Sipas Shasivarit, besimi në drejtësi nuk kërkohet, ai fitohet.
“Jo me deklarata, por me vepra. Jo me premtime, por me rezultate. Prandaj, reformat nuk do t’i vlerësojmë vetëm në bazë të numrit të ligjeve të miratuara, por sipas ndryshimeve që qytetarët do t’i ndiejnë realisht: procedura më efikase, vendime më cilësore, siguri më të madhe juridike dhe zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë”, thekson Shasivari.
E ardhmja evropiane e shtetit nënkupton standarde evropiane në çdo institucion, përkushtim të vazhdueshëm në zbatimin e reformave dhe përgjegjësi pa përjashtim. Ky nuk është vetëm një obligim në rrugëtimin tonë evropian, por mbi të gjitha një detyrim ndaj qytetarëve dhe të drejtës së tyre për të jetuar në një shtet të drejtë dhe të mirëfilltë ligjor.
“Drejtësia është obligim. Përgjegjësia është detyrë. Besimi fitohet”, thekson Shasivari në urimin me rastin e Ditës Evropiane të Drejtësisë.

