Edon Idrizi është me prejardhje nga Forina e Gostivarit. Edhe pse në moshë të re, ai ka arritur të ndërtojë një karrierë të suksesshme në sferën e biznesit në Arabinë Saudite, respektivisht në qytetin Xheda, shkruan Lideri.mk. Së fundmi, ai ka mirëpritur kryetarin e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Shaqir Fetahu, i cili i ka bë një prezantim në rrjetet sociale.

Prezantimin ua sjellim të plotë në vijim:

Më 10 nëntor 2026, gjatë qëndrimit tim në qytetin e Xhedës, në Mbretërinë e Arabisë Saudite, pata kënaqësinë të takoja z. Edon Idrizi, biznesmen dhe investitor i mirënjohur, i cili zhvillon veprimtarinë e tij profesionale në këtë qytet.

Edoni është i biri i Haxhi Blerim Idrizit, me të cilin ruaj kujtime të paharrueshme nga disa vite më parë, kur patëm nderin dhe kënaqësinë të kryenim së bashku Haxhin, në shoqërinë e tij dhe të familjes së tij. Haxhi Blerimi prej vitesh jeton dhe punon në Suedi.

" "

Edon Idrizi rrjedh nga një familje me prejardhje nga fshati Forinë dhe është nipi i pedagogut, intelektualit, veprimtarit dhe aktivistit të njohur politik, të ndjerit Xhemul Idrizi.

Ishte kënaqësi e veçantë të zhvilloja një bisedë me një personalitet të tillë, i cili shquhet për përvojën e tij të gjerë në fushën e biznesit, vizionin zhvillimor dhe idetë për krijimin e mundësive të reja të bashkëpunimit ekonomik dhe investues.

Gjatë takimit, z. Idrizi më njohu nga afër me zhvillimet ekonomike në Xhedë dhe në Arabinë Saudite, si dhe me mundësitë që ofron ky mjedis dinamik për investime, partneritete ndërkombëtare dhe kontribut në rritjen e mirëqenies së përgjithshme.

Ai ka mbi nëntë vjet përvojë në zhvillimin e bizneseve dhe ndërtimin e partneriteteve ndërkombëtare. Që nga viti 2024, vepron në Arabinë Saudite, ku ndihmon kompanitë evropiane të depërtojnë në tregun saudit dhe të krijojnë bashkëpunime me institucione shtetërore dhe investitorë të mëdhenj. Aktualisht jeton në Xhedë dhe ushtron detyrën e drejtorit të strategjisë dhe zhvillimit të biznesit në një kompani saudite investimesh me traditë 35-vjeçare.

Takime të tilla dëshmojnë se potenciali njerëzor, profesional dhe intelektual i bashkatdhetarëve tanë, kudo që ata jetojnë dhe veprojnë, përbën një vlerë të çmuar dhe një urë të rëndësishme lidhëse ndërmjet vendeve, shoqërive dhe mundësive të reja për zhvillim.

Edon Idrizit i urova suksese të mëtejshme në rrugëtimin e tij profesional, me dëshirën që përvoja, vizioni dhe angazhimi i tij të shndërrohen në iniciativa konkrete, të cilat do të sjellin përfitime të ndërsjella dhe do të kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Zoti ia shtoftë sukseset, ia begatoftë punën dhe e udhëzoftë gjithmonë drejt së mirës!/Lideri

sqShqip