Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, sot, para Monumentit të Çlirimtarëve të Shkupit dhe monumentit të gjeneral Mihajlo Apostollskit, u përkul me respekt para heronjve që dhanë më të shtrenjtën që qyteti ynë të jetojë i lirë.

„Më 13 Nëntor qëndrojmë të palëkundur përballë historisë dhe përulemi thellë para atyre që na e dhuruan lirinë. Para njerëzve, guximi i të cilëve ishte më i fortë se frika, ndërsa dashuria për atdheun më e madhe se shqetësimi për jetën e tyre.

Tetëdhjetë e dy vjet më parë, më 13 nëntor 1944, Shkupi e fitoi lirinë e tij. Pas luftimeve të rënda, pas vuajtjeve dhe pasigurisë, qyteti ynë e priti fitoren mbi pushtuesin fashist.

Çdo rrugë e tij mbart një pjesë të këtij kujtimi. Çdo emër i gdhendur në monumente mbart një histori për një jetë, një rini, një ëndërr të ndërprerë, në mënyrë që të mund të jetonin ëndrrat e brezave që erdhën pas tyre.

" "

Sakrifica e tyre është e ngulitur përgjithmonë në themelet e Shkupit të lirë. Detyra jonë është ta ruajmë atë nga harresa dhe t’u mësojmë fëmijëve tanë se sa shtrenjtë është paguar e drejta për të jetuar të lirë.

Lufta antifashiste na la amanet të qëndrojmë të palëkundur përballë padrejtësisë, të mbrojmë dinjitetin njerëzor dhe të ruajmë fuqinë e bashkimit. Ky është shpirti i Shkupit. Qyteti që edhe në momentet më të vështira ka ditur të ngrihet, të zgjasë dorën dhe të dëshmojë se solidariteti është më i fortë se çdo ndarje“, tha Gjorgjievski.

Kryetari Gjorgjievski theksoi se sot është detyrimi ynë që këtë amanet ta shndërrojmë në vepra dhe të ndërtojmë një qytet me rend, pastërti dhe siguri.

„Një Shkup në të cilin fëmijët tanë do të dëshirojnë të qëndrojnë, të krijojnë dhe ta ndërtojnë të ardhmen e tyre. Me këtë mendim punoj çdo ditë.

Para një viti gjetëm projekte të bllokuara dhe probleme të grumbulluara. Sot, ndryshimet janë të dukshme, projektet e mëdha po i afrohen përfundimit, ndërsa me çdo park të ri, urë dhe rrugë të rinovuar po ndërtojmë kushte më të mira për shkupjanët.

Kurorë e mandatit tim do të jetë rruga e parë nëntokësore për komunikacion, një vepër që do t’u shërbejë edhe brezave pas nesh.

Çlirimtarët tanë e përmbushën amanetin e tyre me guxim dhe sakrificë. Ne duhet ta përmbushim amanetin tonë me përgjegjësi dhe me vepra.

Të jemi të denjë për lirinë që na lanë trashëgim. Të ndërtojmë një Shkup të denjë për brezat që vijnë.

Qoftë e përjetshme lavdia e çlirimtarëve. Gëzuar 13 Nëntorin!

Rroftë Shkupi i lirë! Rroftë Maqedonia!“, tha Gjorgjievski.

sqShqip