Ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se partitë shqiptare në Serbi janë bashkuar për herë të parë për të garuar së bashku në zgjedhje, duke thënë se në këtë proces ka ndikuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si dhe faktorë të jashtëm.
Vuçiq, në deklarimin e tij, ka përmendur Shaip Kamberin, të cilin e ka cilësuar me gjuhë fyese, duke thënë se ai është vendosur në krye të listës së përbashkët, ndërsa përfaqësuesit e dy partive të tjera janë renditur në pozitat e dyta dhe të treta.
Sipas Vuçiqit, bashkimi i partive shqiptare synon ta çojë çështjen e Luginës së Preshevës në një nivel më të lartë të vëmendjes ndërkombëtare.
Siç merr vesh portali Lideri.mk nga burime të veta në Luginën e Preshevës, për të penguar që çështja shqiptare në Serbi të marë vëmendje më të madhe ndërkombëtare, partia e presidentit serb (Partia Progresiste Serbe) po synon të gjejë mënyra për të marë sa më shumë vota të shqiptarëve për vete, me qëllim që Lista Shqiptare të mos arrijë qëllimin për të fituar tre deri pesë deputetë.
Burimet tona nga Lugina thonë se për të realizuar qëllimin e saj “SNS po përdor metoda të ndryshme edhe për joshje, por edhe gjysmëkërcënuese”, mirëpo për fat shqiptarët janë duke refuzuar edhe metodat e llojit të parë edhe të llojit të dytë. “Tentime po bëhen edhe përmes disa strukturave kriminele që janë të shantazhueshme”, thonë burimet tona nga partitë shqiptare në Luginën e Preshevës.
Për momentin nuk kemi prononcim zyrtar lidhur me këtë çështje, por jemi në pritje që deri të hënën më së voni të ketë edhe një prononcim të tillë.
Ndryshe kryeministri kosovar Albin Kurti e drejtoi këtë proces të bashkimi të faktorit shqiptar duke mbajtë edhe një takim në Prishtinë me përfaqësuesit e partive shqiptare./Lideri

