Presidenti turk drejtoi trenin gjatë udhëtimit të parë testues në segmentin e ri të linjës hekurudhore drejt kufirit bullgar. Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e pyeti nëse dinte të drejtonte edhe një helikopter, ndërsa ai u përgjigj: “Po”.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, përuroi zyrtarisht një segment të ri të linjës hekurudhore me shpejtësi të lartë, e cila lidh Stambollin me kufirin bullgar. Pas ceremonisë, ai u ul personalisht në kabinën e drejtimit dhe e drejtoi trenin në segmentin ndërmjet Babaeskit dhe Lüleburgazit.

Projekti i linjës hekurudhore Halkalı–Kapıkule është parashikuar për transportin e udhëtarëve dhe të mallrave. Sipas autoriteteve turke, me vënien e plotë në funksion të linjës, koha e udhëtimit do të shkurtohet ndjeshëm. Udhëtimi nga Stambolli deri në Kapıkule, në kufirin me Bullgarinë, në vend të rreth katër orë e gjysmë sa zgjat aktualisht, pritet të zgjasë afërsisht një orë e gjysmë.

Në ceremoninë e përurimit ishte e pranishme edhe komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, të cilën Erdogan e falënderoi për pjesëmarrjen.

" "

“Dëshiroj ta falënderoj Marta Kosin, komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, që ndau me ne emocionin tonë”, deklaroi presidenti turk.

Erdogan theksoi se lidhja e re hekurudhore do të ketë një rol të rëndësishëm në lidhjen e prodhimit turk me tregjet evropiane dhe në zhvillimin e shkëmbimeve tregtare.

“Kjo hekurudhë do të jetë një arterie jetike që do ta lidhë prodhimin e Anadollit me tregjet evropiane dhe do të shërbejë si shtyllë për përshpejtimin e realizimit të objektivave të Turqisë për eksport. Ajo do të kontribuojë ndjeshëm në ekonomitë e Trakisë dhe të Turqisë”, tha Erdogan, sipas agjencive të lajmeve.

Ai shtoi se rëndësia e projektit nuk kufizohet vetëm në rajonin e Trakisë, por përfshin edhe forcimin e lidhjeve të transportit ndërmjet Turqisë dhe Evropës. Pritet që linja hekurudhore të ndihmojë në zhvillimin e tregtisë dhe turizmit, si dhe në lidhjen më të mirë të qyteteve.

Sipas Erdoganit, me zgjerimin e rrjetit, numri i qyteteve turke të lidhura drejtpërdrejt me trenat me shpejtësi të lartë do të rritet nga 11 në 14.

Pas ceremonisë së përurimit, Erdogan dhe Marta Kos hipën në tren, të cilin presidenti turk e drejtoi personalisht gjatë udhëtimit të parë testues në segmentin ndërmjet Babaeskit dhe Lüleburgazit.
Gjatë udhëtimit, Marta Kos e pyeti nëse dinte të drejtonte edhe një helikopter. Erdogan u përgjigj në anglisht, me një fjalë të vetme: “Yes” (“Po”), duke shkaktuar të qeshura te të pranishmit.

sqShqip