Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dalë sërish në një konferencë për media, ku ka ndryshuar propozimin për postin e Presidentit të vendit.
Kurti ka propozuar Justina Shiroka-Pulën për këtë pozitë dhe i ka bërë thirrje Partisë Demokratike të Kosovës që të marrë pjesë në votim dhe ta mbështesë kandidaturën e saj.
Ai ka përsëritur se janë të gatshëm që paraprakisht të votojnë ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale, nëse kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, zotohet se 22 deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së do të marrin pjesë dhe do të votojnë në seancën për zgjedhjen e Presidentit.
Kryeministri ka theksuar se Shiroka-Pula ka qenë ministre e PDK-së, duke i bërë thirrje Hamzës që ta bindë atë për këtë post.
“Kryetari i PDK-së le të dalë publikisht sonte pas meje menjëherë që 22 deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së zotohen se marrin pjesë me votë për president, ne po ja votojmë projektligjin paraprakisht për ndryshimet në Ligjin e Gjykatës Speciale. Pastaj pika tjetër për votimin e presidentit. Justina Shiroka Pula ka qenë ministre e PDK-së. Le ta bindë Hamza unë jam dakord”, ka thënë Kurti.

