Kolumna

Shumica e re ia mësyn drejt Brukselit!

Shumica e re ia mësyn drejt Brukselit!
(qyfyre nga Bruxelles)
Shumica e re parlamentare edhe pse me premier të dorëhequr ka arritur t’ja hedh tutje krizës politike në qeverisjen e vendit dhe si duket po ja mësyn drejt Brukselit për të kërkuar si lypsarë hapjen e negociatave.
Ata planifikojnë që brenda javës me biçikletë të mbërrijnë në Place Schuman para portës së madhe të godinës së quajtur BE, si miq të paftuar për të qënë të pranishëm më 14 dhjetor, në ditën e vendimmarrjes së BE-së, për dy shtetet e Ballkanit si Shqipëria dhe ‘Severna’ në hapjen apo jo të negociatave.
Por, mbajtja e vetos bullgare është një lajm jo i këndshëm për delegacionin e ‘maqedoncave’ në Bruksel, të cilëve u tharton oreksin pas gjithë atij rrugëtimi të gjatë për ta provuar ‘hamburgerin e Brukselit’ si specialitet i vendit.
Ata duken të sfilitur nga rruga e gjatë dhe zemrimi me veton bullgare dhe nuk duan të japin asnjë intervistë me gazetarët të akredituar pranë pallatit të qelqtë, por preferojnë të vizitojnë dhe të dëfrehen me një sebep nëpër vende turistike si Grand Place, Jardin Royale apo Atomium, për ta hequr mërzinë dhe dufin e refuzimit të mos-hapjes së negociatave me ‘Severnën’ e dashur.
Delegacionit të ‘maqedoncave’ të ‘Severnës’ u duhet të kthehen prapë pas dy javësh në strofkullën e tyre në Shkup, duke e bërë bilancin e humbjes apo për t’iu lutur bullgarëve të heqin veton me arsyetimin e keqardhjes se ‘ngelën rrugëve’ lart e poshtë duke lypur në Bruksel.
Megjithatë, ata nuk kanë hequr dorë duke lypur por, përkundrazi ia kanë marrë dorën si lypsarë dhe vitin tjetër shpresojnë t’ia dalin duke hapur portat e Pallatit të qelqtë, ku për disa vjet negociata në ‘realizimin e detyrave të shtëpisë’ nga kapitujt e rinj për anëtarsim të arrijnë të bëhen anëtarë të barabartë e familjes së madhe europiane vetëm si ‘maqedonca’ me gjuhë dhe identitet.
Ndërsa sa na takon ne si shqiptarë, nuk jemi kundër hapjes së negociatave të ‘Severnës sonë të dashur’ me BE-në, por duam të hymë në atë Palllat si të barabartë mes të barabartëve me dinjitet dhe me identitet, si shqiptarë me gjuhë dhe me histori të lashtë dhe jo si ‘maqedonca’ ashtu siç kanë pranuar partiçkat politike shqiptare.
Të fala nga Brukseli!
Nedai Saoli