Bashkimi Demokratik për Integrim, dega në Tetovë, ka akuzuar sot kryetarin e Komunës së Tetovës se po fsheh borxhin e vërtetë të institucionit që drejton. Sipas Arbëresha Nezirit nga BDI, Komuna e Tetovës ka një borxh prej 23 milionë euro sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, ndërsa edhe 8 milionë euro të tjera mbeten të padeklaruara.

“Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave për tremujorin e dytë të vitit 2026, më 30 qershor, detyrimet e raportuara ishin afër 23 milionë euro. Dhe sipas informatave tona, rreth 8 milionë euro janë të paevidentuara, me të cilat borxhi i përgjithshëm i Komunës së Tetovës rezulton të jetë mbi 31 milionë euro. Prandaj pyesim: Si u shlyen rreth 20 milionë euro për dy muaj? Me cilat mjete dhe ku janë dëshmitë e pagesave? Buxheti bazë për vitin 2026 është 16.9 milionë euro. Deri në gjysmën e vitit janë realizuar 55%, ku përfshihen edhe mjetet nga kredia hungareze”, tha ajo.

Nga Komuna e Tetovës sot nuk e komentuan drejtpërdrejt konferencën për media të BDI-së, por deklaruan se i qëndrojnë deklaratës që dha vetë kryetari i komunës një ditë më parë, ku theksoi se borxhi ndaj përmbaruesve është rreth 3 milionë euro dhe do të shlyhet brenda pak muajve.

“Komuna nga një borxh të deklaruar në fillim prej 15 milionë euro — vetëm Komuna flasim — por me kamatat e dënimit që kemi paguar ai borxh ka shkuar diku në 20 milionë euro, tani kemi arritur që atë borxh në përmbarues ta ulim diku në 3 milionë. Dhe ne punojmë intensivisht që për dy-tre muajt e ardhshëm edhe këto 2-3 milionë në përmbarues që i kemi t’i paguajmë apo t’i marrin përmbaruesit dhe përfundimisht Komuna e Tetovës të ketë likuiditet financiar”. tha kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, më 23 shtator 2026.

" "

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, mori mandatin e tij të parë në fund të vitit 2021, ku aso kohe deklaroi se borxhi i përgjithshëm i komunës, së bashku me ndërmarrjet publike dhe shkollat, kapte shifrën e rreth 24 milionë eurove. përcjell Zhurnal.mk .

sqShqip