Ejup Berisha

Diplomacite e shekujve 19 dhe 20 zhvilluan një metodë graduale për menaxhimin, parandalimin dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve ndërkombëtare. Objektivi i tyre nuk ishte vetëm t’i jepnin fund luftërave, por edhe ti krijonin kushtet e nevojshme politike, ligjore të sigurisë për ta parandaluar përsëritjen e tyre. Në shekullin e 19, diplomacia bazohej kryesisht në parimin e barazpeshimit të fuqisë. Pas luftërave të Napoleonit, fuqitë kryesore evropiane e kuptuan se paqja e qëndrueshme kërkonte një narapeshë midis interesave dhe aftësive të tyre. Kongresi i Vjenës i viteve 1814-1815 vendosi kështu një praktikë të rregullt të konsultimit diplomatik, dialogut dhe negociatave midis fuqive të mëdha.
Kështu kur lindte një krizë, shtetet kërkonin të parandalonin ndërkombëtarizimin ose përshkallëzimin e tij përmes negociatave të drejtpërdrejta, ndërmjetësimit, konferencave ndërkombëtare dhe kompromiseve diplomatike. Roli i diplomatëve ishte ti mbronin interesat e shteteve të tye, duke kërkuar një marrëveshje të pajtueshme me interesat e palëve të tjera. Diplomacia atëherë gjithashtu i përdorte edhe traktatet ndërkombëtare si instrumente stabilizimi. Një traktat mund të përcaktonte kufijtë, të vendoste detyrimet e palëve, të ofronte garanci, të organizonte tërheqjen e forcave ushtarake ose të krijonte mekanizma për ta ruajtur paqen.
Në shekullin e 20-të, veçanërisht pas dy luftërave botërore, diplomacia pësoi ndryshime të thella. Bashkësia ndërkombëtar gradualisht e kuptoi se paqja nuk mund të varej vetëm nga barazpeshimi ushtarak midis fuqive të mëdha. Ishte gjithashtu e nevojshme të zhvillohej një sistem ndërkombëtar i bazuar në të drejtën ndërkombëtare, bashkëpunimin dhe sigurinë kolektive. Krijimi i Lidhjes së Kombeve pas Luftës së Parë Botërore dhe më pas i Kombeve të Bashkuara në vitin 1945 e përfaqësonte këtë evolucion. Diplomacia u bë gjithnjë e më shumëpalëshe, konfliktet nuk shiheshin më vetëm si çështje midis dy shteteve, por si probleme që mund të kërcënojnë stabilitetin ndërkombëtar. Diplomacia e shekullit 20 zhvilloi kështu disa instrumente, si ndërmjetësimin, zyrat e kontaktit, negociatat, armëpushimet, konferencat ndërkombëtare, misionet vëzhguese, sanksionet diplomatike apo ekonomike, garancitë ndërkombëtare, operacionet paqeruajtëse dhe marrëveshjet s sigurisë. Gjatë Luftës së ftohtë, diplomacia gjithashtu demonstroi rëndësinë e dialogut, madje edhe midis vet kundërshtarëve. Fuqitë e mëdha mbajtën kanale komunikimi për të parandaluar që një krizë politike ose ushtarake të përshkallëzohej në konfrontim të drejtpërdrejtë. Frenimi, dialogu strategjik, kontrolli i armëve dhe marrëveshjet ndërkombëtare u bënë instrumente thelbësore të stabilizimit.

Cilat ishin mësimet diplomatike

Mësimet e mëdha diplomatike të
shek 19 dhe 20 mund të formulohet si më poshtë.
Një konflikt nuk zgjidhet vetëm me fitoren e njërës palë mbi tjetrën; Ai zgjidhet përgjithmonë kur palët gjejnë një marrëveshje politike, dhe sigurie ligjore të aftë për ta bërë paqen të pranueshme dhe të qëndrueshme.
Është ky evolucion që gradualisht e ka bërë diplomacinë jo vetëm një instrument për përfaqësimin e shteteve, por edhe një instrument për parandalimin e konflikteve, menaxhimin e krizave, zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe ndërtimin e paqes ndërkombëtare.
Në shek 21diplomacia po përballet me një situatë të ndërlikuar. Dialogu, negociatat dhe ndërmjetësimi vazhdojnë të jenë mjetet kryesore për zgjidhjen paqësore të konflikteve. Mirëpo, mungesa e besimit, interesat gjeopolitike, rivaliteti ndërmjet fuqive të mëdha dhe përdorimi i forcës shpesh po e vështirësojnë arritjen e kompromisit..Diplomacia bashkëkohore synon jo vetëm të përfundojë konfliktin, por edhe të krijojë kushte për paqen e qëndrueshme, sigurinë, respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe rikthimin e marrëdhënieve ndërmjet palëve.
Pra, diplomacia mbetet rruga kryesore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, por kjo kërkon më shumë vullnet politik, kompromis, komunikim dhe besim ndërmjet palëve.
Në shekullin 21 efektiviteti i diplomacisë pengohet kryesisht nga.
Rivaliteti midis fuqive të mëdha, i cili shpesh e transformon dialogun në përballje strategjike, nga mungesa e besimit midis shteteve dhe vështirësia në përmbushjen e angazhimeve ndërkombëtare, nga dobësimi i multilateralizmit, ku institucionet ndërkombëtare përpiqen të arrijnë një konsensus, nga dhënia përparsi interesave të menjëhershme kombëtare, ndonjëherë në kurriz të zgjidhjeve kolektive.
Konfliktet e zgjatura dhe krizat e sigurisë, shpesh e zvogëlojnë hapësirën për negociata për këtë ndikojnë dezinformimi dhe lufta e informacionit, të cilat e ndërlikojnë dialogun dhe e rrisin mosbesimin. Këto i ngadalsojnë mekanizmat diplomatikë përballë krizave që evoluojnë me shpejtësi. Shkurt diplomacisë së shekullit të 21-të jo vetëm që i mungojnë mjetet por ajo vuan mbi të gjitha edhe nga deficiti i besimit, vullnetit politik, vullnetit për kompromis dhe koordinimit ndërkombëtar.

" "
sqShqip