KOMUNIKATË PËR MEDIA
Allashec, Komuna e Likovës,
03 Tetor 2025
Ne, banorët e fshatit Allashec, përmes Bashkësisë Lokale dhe Shoqatës “Allasheca”, shprehim mbështetjen tonë të plotë për reagimin e banorëve të fshatit Izvor dhe të fshatrave përreth, lidhur me paralajmërimet për hapjen e gurthyesve në këtë zonë.
Përvoja jonë e hidhur me një rast të ngjashëm në fshatin tonë, ku para disa vitesh u tentua hapja e një gurthyesi, na ka lënë pasoja të mëdha në pronat private dhe shëndetin e banorëve. Edhe sot janë të dukshme gjurmët e atij veprimi të papërgjegjshëm.
Gurthyesit, rrezik serioz për jetën dhe natyrën
Përmes këtij reagimi, i bëjmë thirrje institucioneve lokale dhe qendrore, si dhe opinionit publik, që të marrin seriozisht shqetësimin tonë të bazuar në përvojë konkrete. Ne dëshmojmë me përgjegjësi për pasojat që sjell një gurthyes në një zonë të banuar:
– Ndotje e ajrit dhe zhurmë
industriale, që rrezikojnë
shëndetin e banorëve,
– Dëmtim i tokave bujqësore dhe
ujërave nëntokësore,
– Shkatërrim i pyjeve dhe
biodiversitetit natyror,
– Prishje e qetësisë dhe cilësisë së
jetës së komunitetit.
Mbështetje e pakushtëzuar për banorët e Izvorit dhe fshatrave të Karadakut
Banorët e Allashecit do t’i bashkohen protestave dhe iniciativave qytetare që synojnë ndalimin e këtij projekti shkatërrues. Ne jemi të bindur se hapja e gurthyesve nuk është problem lokal, por çështje me pasoja rajonale, që do të prekin:
– Izvorin dhe Allashecin,
– Fshatrat: Likovë, Orizare, Gllazhë,
Bellanoc, Runicë, Sllupçan,
– Si dhe liqenin artificial të Likovës
dhe të Gllazhës, që furnizojnë me
ujë mijëra banorë.
Kërkesa jonë është e qartë:
U bëjmë thirrje institucioneve përkatëse, organeve të pushtetit lokal dhe qendror, si dhe mediave, që:
– Të dëgjojnë dhe përfaqësojnë
zërin e banorëve të zonës,
– Të ndalojnë çdo përpjekje për
hapjen e gurthyesve në Karadak,
– Të mbrojnë interesin publik
përballë interesave të ngushta
ekonomike.
Në emër të banorëve të fshatit Allashec dhe fshatrave përreth:
– Ali Jashari, Kryetar i Bashkësisë
Lokale
– Nehat Xheladini, Kryetar i
Shoqatës “Allasheca”
– Etem Xheladini, Koordinator i
Shoqatës “Allasheca”

