Gjermania i kërkon BE-së propozim sanksionesh kundër Republikës Sërpska
Gjermania e ka ngritur para organeve të Bashkimit Evropian, çështjen e sanksioneve ndaj zyrtarëve të Republikës Sërpska, të cilët kërcënojnë Marrëveshjen e Dejtonit, ka mësuar të mërkurën Radio Evropa e Lirë nga burime diplomatike në Bruksel.
Marrëveshja e Dejtonit ka krijuar dy entitete në Bosnje: Federatën Myslimane-Kroate dhe Republikën Sërpska.
Vendi qeveriset dhe administrohet sipas linjave etnike, të përcaktuara nga Marrëveshja, dhe ka një qeveri qendrore, e cila shpesh është jofunksionale.
Gjermania besohet se i ka kërkuar Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm, që të hartojë një dokument, i cili propozon sanksione kundër zyrtarëve të këtij entiteti të Bosnje-Hercegovinës.
Kjo çështje është diskutuar në një takim të Komitetit për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, në nivel të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, të mbajtur më 17 nëntor.