Ka lajme që nuk sjellin vetëm gëzim, por edhe krenari. Një prej tyre vjen nga Tërnoci, ku një vajzë e re shqiptare ka dëshmuar se ëndrrat, kur shoqërohen me punë, përkushtim dhe sakrificë, mund të kapërcejnë çdo kufi.
Altina Sulejmani, e lindur më 17 mars 2004, ka diplomuar me sukses të shkëlqyer në Fakultetin Ekonomik të University of Greenwich në Londër, duke përfunduar studimet brenda afatit të rregullt dhe me rezultatet më të larta. Ky sukses nuk është thjesht një diplomë e fituar, por një histori që flet për disiplinën, këmbënguljen dhe besimin se dija është rruga më e sigurt drejt së ardhmes.
Në ceremoninë e diplomimit, Altina u dallua mes bashkëmoshatarëve të saj, duke kurorëzuar me rezultate të jashtëzakonshme vitet e përkushtimit dhe punës së palodhur.
E lindur në Londër, ajo është vajza e Imranit dhe Nermines (Minkës), me prejardhje nga Tërnoci. Ajo vjen nga familja Sulejmani, një familje e njohur për vlerat, traditën dhe kontributin e saj në vendlindje dhe në mërgatë, ku arsimi dhe edukimi kanë qenë gjithmonë ndër shtyllat më të rëndësishme.
E mbushur me emocione, Altina e ndau këtë moment të veçantë edhe në rrjetet sociale, duke e cilësuar diplomimin si një nga ditët më të rëndësishme të jetës së saj. Për të, kjo nuk është pika e fundit e një rrugëtimi, por fillimi i një kapitulli të ri me synime edhe më të mëdha.
Me mirënjohje të thellë, ajo falënderoi profesorët për mbështetjen dhe profesionalizmin e tyre, si dhe familjen, e cila i ka qëndruar pranë në çdo hap të këtij rrugëtimi. Sipas Altinës, ky sukses nuk është vetëm një arritje personale, por edhe një përgjegjësi për të vazhduar të punojë me të njëjtin përkushtim, disiplinë dhe ambicie.
Lajmi për diplomimin e saj është pritur me urime të shumta nga familjarë, miq dhe bashkëvendës, të cilët e kanë përjetuar këtë sukses si një krenari të përbashkët. Në një kohë kur të rinjtë shqiptarë po dëshmojnë çdo ditë aftësitë e tyre në universitetet më prestigjioze të botës, historia e Altinës është një dëshmi se talenti, puna dhe edukimi nuk njohin kufij.
Suksesi i Altina Sulejmanit është krenari për familjen Sulejmani, për Tërnocin, për Luginën e Preshevës dhe për gjithë shqiptarët në mërgatë. Ajo është një shembull i bukur se rrënjët nuk harrohen kurrë dhe se investimi në dije mbetet pasuria më e madhe që mund t’i lërë një brez tjetrit.
LAJMIAL i uron Altina Sulejmanit shëndet, suksese dhe arritje edhe më të mëdha në rrugëtimin e saj akademik e profesional, me bindjen se emri i saj do të vazhdojë të jetë frymëzim për shumë të rinj që ëndërrojnë të arrijnë majat.

