Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, në një konferencë për media ka bërë të ditur se një sërë provimesh profesionale dhe shtetërore në Maqedoninë e Veriut, tash e tutje do të mund të zhvillohen edhe në gjuhën shqipe.

Mexhiti tha se ky është një hap i rëndësishëm në avancimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën e vendit. Sipas tij, bëhet fjalë për rezultate konkrete të angazhimit të VLEN-it në qeverisje.

“Kam kënaqësinë që të ndaj sot me ju një lajm të rëndësishëm për sa i përket avancimit të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Ashtu siç kemi premtuar, një sërë provimesh profesionale dhe shtetërore tash e tutje do të jepen edhe në gjuhën shqipe”, deklaroi Mexhiti.

" "

Ai bëri të ditur se në gjuhën shqipe tashmë mbahet provimi për revizorë dhe auditorë të autorizuar shtetërorë, ndërsa kjo mundësi do të vlejë edhe për agjentët e sigurimeve që licencohen nga MAPAS.

Po ashtu, në listën e provimeve që do të mund të zhvillohen në gjuhën shqipe përfshihen provimet profesionale për ekspertët e vlerësimit të ndikimit të projekteve në mjedis dhe për vlerësimin strategjik të mjedisit, si dhe provimet për drejtorë, edukatorë, punëtorë dhe kujdestarë profesionalë në institucionet parashkollore.

Në këtë listë bëjnë pjesë edhe provimet profesionale për mjekët, stomatologët dhe motrat medicinale.

“Që nga ardhja në pushtet e VLEN-it, qytetarët shqiptarë kanë mundësinë që provimet profesionale dhe procedurat e licencimit t’i zhvillojnë edhe në gjuhën shqipe. Kjo nuk ka qenë kështu në të shkuarën”, theksoi Mexhiti.

Duke folur për ndryshimet e realizuara, ai përmendi edhe hapjen e mundësisë që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe, duke paralajmëruar se studentët shqiptarë shumë shpejt do të mund t’i nënshtrohen këtij provimi në gjuhën e tyre.

Mexhiti u ndal edhe te Ministria e Kulturës, ku për herë të parë, sipas tij, është themeluar një njësi e veçantë për përkthim dhe lektorim.

Mexhiti: Nuk ka regres në përdorimin e gjuhës shqipe

Në konferencën për media, Mexhiti hodhi poshtë pretendimet për regres në përdorimin e gjuhës shqipe dhe për shkelje të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

“Në Maqedoninë e Veriut nuk po ndodh asnjëfarë regresi në drejtim të përdorimit të gjuhës shqipe dhe as nuk ka shkelje të Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe. Përkundrazi, me ardhjen në pushtet dhe për më pak se dy vite qeverisje, VLEN jo vetëm se ka ruajtur zgjidhjet ekzistuese, por edhe ka avancuar zgjidhjet e munguara në drejtim të arritjes së barazisë gjuhësore”, u shpreh ai.

Mexhiti kritikoi edhe opozitën shqiptare, duke e akuzuar për manipulim të fakteve dhe përpjekje për të marrë merita për zhvillimet aktuale.

Sipas tij, nga viti 2002 deri në vitin 2024, për më shumë se dy dekada, provimet profesionale, licencimet dhe format e tjera të aftësimit profesional në institucionet shtetërore janë zhvilluar në gjuhën maqedonase, pavarësisht gjuhës në të cilën kandidatët kishin përfunduar studimet.

“Duke hapur kapitullin e provimeve profesionale në gjuhën shqipe, ne po bëjmë atë që BDI për 20 vite vetëm e premtonte. Këto nuk janë vetëm ndryshime administrative. Këto janë mundësi të reja për qytetarët shqiptarë, për profesionistët e rinj dhe për të gjithë ata që duan të avancojnë në karrierën e tyre pa u përballur me barriera gjuhësore”, deklaroi Mexhiti.

Në fund, ai theksoi se VLEN do të vazhdojë angazhimin për respektimin e gjuhës shqipe në të gjitha institucionet dhe procedurat ku qytetarët ushtrojnë të drejtat e tyre.

“Ne nuk premtojmë, ne veprojmë dhe sjellim rezultate. Sepse barazia nuk matet me deklarata, por me mundësi të barabarta dhe me rezultate konkrete”, përfundoi Mexhiti.

sqShqip