Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar ashpër ndaj raportimeve për negociatat mes Shqipërisë dhe Serbisë për hapjen e një Konsullate serbe në Shkodër, duke e cilësuar këtë veprim të papranueshëm në një kohë kur, sipas tij, vendet perëndimore po izolojnë regjimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiç.
Shehaj i bëri thirrje qeverisë shqiptare të tërhiqet menjëherë nga ky proces dhe të mbajë përgjegjësi, ndërsa theksoi se interesi kombëtar i Shqipërisë mbrohet vetëm përmes mbështetjes së pakushtëzuar për shqiptarët e Luginës së Preshevës, përcjell “Bota sot”.
Reagimi i plotë:
Kur gjithë Perëndimi po izolon regjimin e Vuçiçit, është e pafalshme që Shqipëria bën negociata me Beogradin për të hapur një Konsullatë serbe në Shkodër.
Nuk duhet të harrojmë se Serbia vazhdon të refuzojë përgjegjësinë për genocidin në Kosovë ndërsa vijon retorikën armiqësore si deklarata e papranueshme e pak javëve më parë e ministres për spastrimin etnik të shqiptarëve.
Interesi kombëtar i Shqipërisë mbrohet vetëm me mbështetje të pakushtëzuar për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Qeveria shqiptare duhet të tërhiqet menjëherë dhe mbajë përgjegjësi për ç’ka po ndodh në zemër të Tiranës.

