MARRËVESHJA E OHRIT: KOMPROMIS HISTORIK APO ALIBI PËR PASURIMIN E ELITAVE POLITIKE

Shkruan: Etem Xheladini

Marrëveshja e Ohrit vazhdon të jetë një nga dokumentet më të rëndësishme politike dhe historike në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, sot ajo interpretohet sipas interesave dhe kalkulimeve të politikëbërësve të ndryshëm, sikur të ishte pronë e tyre private dhe jo një arritje e ndërtuar mbi sakrifica, përpjekje dhe përgjegjësi kolektive.
Shtrohet pyetja themelore, a ishte Marrëveshja e Ohrit një kompromis i domosdoshëm për paqen dhe bashkëjetesën, apo një dokument që la hapësira të mjaftueshme për manipulime, interpretime të njëanshme dhe zvarritje të pafundme të zbatimit të saj. Duhet kujtuar se vlera e kësaj marrëveshjeje nuk buron nga deklaratat e politikanëve të sotëm, por nga kontributi i atyre që, në rrethana jashtëzakonisht të vështira, morën përgjegjësinë historike për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të krijuar bazat e zgjidhjes së çështjeve etnike mes dy komuniteteve më të mëdha në vend, shqiptarëve dhe maqedonasve.
Fatkeqësisht, ajo që duhej të ishte një platformë për ndërtimin e barazisë reale dhe funksionale, mbeti kryesisht në letër. Për më shumë se dy dekada, Marrëveshja e Ohrit është përdorur më shumë si slogan elektoral sesa si projekt shtetëror. Ata që kishin për obligim ta zbatonin, shpesh u mjaftuan me fjalë, deklarata dhe premtime, ndërsa veprat konkrete munguan. Paradoksi më i madh qëndron në faktin se drejtimin e proceseve të saj e morën individë dhe struktura politike që shpesh nuk kishin dhënë as kontributin më të vogël në rrugën e vështirë që çoi drejt asaj marrëveshjeje. Në vend që të punonin për realizimin e frymës së saj, ata e shndërruan atë në instrument marketingu politik, duke u paraqitur si mbrojtës të interesave qytetare, ndërkohë që prioritet i tyre mbetën interesat personale, familjare dhe klanore.
Për më shumë se njëzet vjet, një pjesë e elitave politike shqiptare dhe maqedonase kanë ndërtuar karrierat, pasurinë dhe ndikimin e tyre mbi premtimet për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ndërsa qytetarët prisnin barazi, drejtësi dhe zhvillim, shumë politikanë u pasuruan, ngritën rrjete klienteliste dhe e përdorën ndarjen etnike si mekanizëm për të ruajtur pushtetin. Më shqetësuesja është se sa herë që interesat e tyre personale janë rrezikuar, ata kanë vrapuar për ta përvetësuar Marrëveshjen e Ohrit si meritë të tyre. Por kur ka ardhur momenti për ta zbatuar me përkushtim dhe përgjegjësi, kanë zgjedhur heshtjen, zvarritjen ose interpretimet selektive.
Sot është koha që qytetarët shqiptarë dhe maqedonas të reflektojnë me maturi dhe vetëdije. Nuk duhet të lejohet më që emri i tyre, ndjenjat e tyre kombëtare dhe problemet e tyre reale të përdoren si monedhë politike nga individë që pasurohen në emër të popullit, ndërsa populli vazhdon të përballet me varfëri, emigrim, padrejtësi dhe mungesë perspektive. Vetëdijesimi qytetar është mbrojtja më e fortë kundër manipulimit politik. Shqiptarët dhe maqedonasit kanë më shumë interesa të përbashkëta sesa dallime. Ata ndajnë të njëjtat sfida ekonomike, të njëjtat probleme sociale dhe të njëjtën nevojë për institucione të ndershme e funksionale. Prandaj, është koha të ndalet hovi i mashtruesve politikë që, në emër të etnive dhe patriotizmit, ndërtojnë mirëqenien e tyre personale dhe realizojnë agjenda të errëta larg interesit të qytetarëve.
Historia do t’i gjykojë ata që e shfrytëzuan Marrëveshjen e Ohrit për përfitime personale. Por qytetarët kanë ende mundësinë t’i ndalojnë, duke kërkuar llogaridhënie, transparencë dhe zbatim të vërtetë të parimeve mbi të cilat u ndërtua paqja dhe bashkëjetesa në këtë vend.

sqShqip