Rritjet e privilegjeve në majë, varfëria në bazë, një alarm për shoqërinë
Etem Xheladini
Në dukje gjithçka është bërë e qartë, për çfarë zhvillohet kjo luftë e ashpër për pushtet dhe privilegje, dhe kush po përfiton realisht nga vendimmarrja institucionale në këtë vend. Në mandatin e mëparshëm parlamentar u miratua rritja e pagave të deputetëve dhe qeveritarëve me një përqindje të jashtëzakonshme, që i afrohej rreth 80 për qind. Sot, në një vazhdimësi të këtij modeli të diskutueshëm, gjyqtarët kushtetues “vetëshpërblehen” me rritje të reja të pagave, duke i çuar ato në nivele që variojnë nga 199 mijë deri në 242 mijë denarë bruto.
Ndërkohë, pyetja që mbetet pa përgjigje është e dhimbshme dhe thelbësore, ku mbetën rritjet për administratën publike, për arsimin, për shëndetësinë dhe, mbi të gjitha, për klasën punëtore, e cila mezi e kalon muajin dhe përballet çdo ditë me koston gjithnjë e më të lartë të jetesës. Gjykata Kushtetuese ka vendosur që këto rritje të hyjnë në fuqi nga 1 tetori, pas shfuqizimit të pjesëve të Ligjit për pagat dhe shpërblimet e personave të zgjedhur dhe të emëruar. Por ky vendim, në vend që të sjellë qartësi dhe drejtësi, ka hapur një debat të ri mbi kufijtë moralë dhe institucionalë të vetëpërfitimit.
Ironia bëhet edhe më e rëndë kur ky institucion, i cili në perceptimin publik shpesh cilësohet si i ndikuar nga politika dhe i përfshirë në vendime të kontestuara, merr vendime që prekin drejtpërdrejt standardin e jetesës së një shoqërie të tërë. Në të njëjtën kohë, dëgjojmë deklarata për rritje “lineare” të pensioneve me 1000 denarë, masa që në thelb nuk arrijnë të adresojnë as minimalisht krizën reale të varfërisë. Në këtë kontekst lind një pyetje thelbësore institucionale dhe morale, a duhet që gjyqtarët, parlamentarët dhe qeveritarët të jenë vetë përcaktuesit e të ardhurave të tyre, veçanërisht në një kohë kur pjesa më e madhe e qytetarëve përballet me vështirësi ekzistenciale.
Kjo dilemë bëhet edhe më e mprehtë në një realitet ku kostot e jetesës rriten vazhdimisht, ndërsa sektorët publikë kërkojnë me ngulm rritje të pagave që shpesh injorohen ose shtyhen pa afat. Në të njëjtën kohë, pensionistët, punëtorët dhe familjet e zakonshme mbeten në kufijtë e mbijetesës.
Shtrohet natyrshëm pyetja, ku po e çon ky injorim institucional shoqërinë, në një vend ku korrupsioni dhe aferat e dyshuara nuk janë më përjashtim, por perceptohen si pjesë e përditshmërisë politike, besimi qytetar po humbë në mënyrë të vazhdueshme. Edhe më shqetësuese bëhet situata kur kritikat nuk vijnë vetëm nga opinioni publik, por edhe nga raportime ndërkombëtare, përfshirë vërejtje nga Komisioni Evropian lidhur me vendime të diskutueshme dhe çështje të ndjeshme institucionale.
Nëse ky trend vazhdon, pasoja nuk do të jetë vetëm ekonomike, por thellësisht shoqërore dhe demografike. Varfëria, zhgënjimi dhe mungesa e perspektivës tashmë po e shtyjnë popullatën drejt emigrimit masiv, duke zbrazur vendin çdo ditë e më shumë. Prandaj, kjo nuk është më thjesht një çështje pagash apo vendimesh gjyqësore. Është një çështje e drejtësisë shoqërore, e përgjegjësisë institucionale dhe e vetëdijes kolektive.
Dhe nëse kjo vetëdije nuk zgjohet sot, nesër mund të jetë vonë për të gjithë.

