(Më në fund u kuptova drejt. Prej një muaji nuk kam më kufizime gjatë kalimit të kufirit.)
Etem Xheladini
Në jetën time, misioni më i shenjtë ka qenë arsimi. Që në rininë e hershme kam ëndërruar të bëhem mësues, të mbaj ditarin në dorë dhe të kontribuoj në edukimin e brezave të rinj. Falë Zotit, kjo dëshirë m’u realizua. Në moshën vetëm 22-vjeçare mora për herë të parë ditarin në dorë në SHF “Dituria” në Lipkovë, në paralelet e ndara të shkollës periferike në Goshincë, dhe nisa rrugëtimin tim në shërbim të dijes dhe të kombit.
Gjatë gjithë jetës sime profesionale kam dhënë maksimumin e mundshëm për arsimin fillor, të mesëm dhe atë sipëror. Nuk kam kursyer as kohën, as mundin dhe as përkushtimin kur bëhej fjalë për edukimin e fëmijëve dhe të rinjve tanë. Me bindje të plotë mund të them se, krahas dashurisë për sportin, humanizmi ka qenë pjesë e pandashme e jetës sime. Përmes veprimtarive humanitare dhe shoqërore kam lënë gjurmët e mia modeste në shërbim të njerëzve, popullatës dhe komunitetit.
Pothuajse pesë dekada kam kaluar duke u përballur me sfidat e kohës, ashtu siç u përballën të gjithë shqiptarët në periudha të vështira e të ndërlikuara historike. Kam përjetuar sfida, padrejtësi dhe vështirësi, por asnjëherë nuk jam dorëzuar. Përkundrazi, ato më kanë bërë më të fortë, më të vendosur dhe më të përkushtuar ndaj idealeve që kam mbrojtur gjatë gjithë jetës.
Sot, në një moshë të shtyrë, ndihem krenar dhe i qetë para ndërgjegjes sime. Jam ballëhapur dhe kokëlart, sepse nuk iu nënshtrova askujt dhe nuk hoqa dorë nga parimet e mia. Edhe detyrat dhe përgjegjësitë që kam ushtruar ndër vite kanë qenë rezultat i besimit që më kanë dhënë populli dhe qytetarët e mi.
Shumë familjarë dhe miq mendonin se me pensionimin tim do të tërhiqesha nga jeta shoqërore, se nuk do të merresha më me arsimin, humanizmin dhe çështjet që i shërbejnë shoqërisë sonë. Por ata nuk e dinin se plagët, sakrificat dhe përvojat e jetës më kanë mësuar një të vërtetë të madhe, njeriu nuk duhet të ndalet kurrë së kontribuuari për të mirën e njerëzve dhe të kombit të vet. Prandaj, edhe sot vazhdoj me të njëjtin përkushtim, me të njëjtën dashuri dhe me të njëjtin idealizëm. Deri në frymën time të fundit do të jem në shërbim të arsimit, humanizmit dhe vlerave kombëtare, duke dhënë aq sa më lejojnë forcat dhe mundësitë e mia.
Respekt për të gjithë, për ata që mendojnë si unë dhe për ata që kanë mendim ndryshe. Sepse respekti, mirëkuptimi dhe dashuria për njeriun janë vlerat që e bëjnë më të fortë një shoqëri dhe më të madh një komb.
Tani, më në fund, u bindën edhe ata pushtetarë se misioni im ka qenë arsimi dhe humaniteti. Ata që deri pak muaj më parë ma kufizonin lëvizjen e lirë dhe më mbanin në vëzhgim gjatë kalimit të kufirit, tashmë e kanë kuptuar se veprimtaria ime ka qenë gjithmonë në shërbim të dijes, të njeriut dhe të interesit të përgjithshëm shoqëror.

