Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), Samidin Xhezairi – Hoxha, ka deklaruar se UÇK-ja, sipas tij, nuk ka kryer krime as në Kosovë dhe as në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar luftën e saj si “të pastër”.
Duke folur në marshin “Liria ka emër” në Shkup, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, Xhezairi tha se procesin e sheh si të montuar nga Serbia dhe të përkrahur nga Rusia e Kina.
“UÇK-ja në përgjithësi, as në Kosovë as në Maqedoni, s’ka bërë krime, ka bërë një luftë të pastër”, deklaroi Xhezairi.
Ai tha se pret që ish-krerët e UÇK-së të lirohen në vendimin që pritet të shpallet nesër në Hagë, por shtoi se, edhe nëse do të ketë ndonjë dënim, sipas tij, kjo nuk mund ta zhbëjë Kosovën.
“Presim që të lirohen nesër, por edhe nëse ata kanë marrë vendim për ndonjë dënim eventual, Kosovën nuk mund ta zhbëjnë më askush”, u shpreh ai.
Xhezairi tha se shpreson që Gjykata Speciale të marrë vendim për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar procesin si të koordinuar kundër UÇK-së, Kosovës dhe shqiptarëve.
“Shpresojmë që do të merret një vendim për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, sepse ky proces është i koordinuar për ta luftuar UÇK-në, Kosovën dhe shqiptarinë”, tha ai./Arbresh.info

