Deputeti i koalicionit VLEN, Bekim Qoku, ka ndarë detaje dhe pamje nga tubimi i jashtëzakonshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i mbajtur në Tetovë. Në këtë ngjarje mori pjesë edhe Albulena Haxhiu, në cilësinë e Kryetares së Kuvendit dhe ushtrueses së detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Qoku ka vlerësuar lart praninë e zyrtares së lartë nga Kosova, duke e konsideruar atë si një tregues të fuqishëm të bashkëpunimit vëllazëror.

“Prania e saj në Tetovë ishte dëshmi e lidhjes së fortë mes shqiptarëve kudo që jetojnë dhe e përkushtimit të përbashkët për zhvillim, drejtësi dhe përparim,” ka shkruar Qoku.Deputeti i VLEN-it theksoi se palët ndajnë të njëjtat vlera dhe të njëjtin vizion për ndërtimin e një shteti të fortë dhe rritjen e mirëqenies për qytetarët. Ai nënvizoi se ky aktivitet rikonfirmon angazhimin e përbashkët për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërshqiptar.
Thirrje për mbështetje më 7 qershor
Në mbyllje të mesazhit të tij, Qoku ka përcjellë edhe një thirrje të rëndësishme drejtuar qytetarëve për datën 7 qershor, duke kërkuar rreshtim dhe përkrahje për rrugëtimin e Kosovës.
“Më 7 qershor, ta mbështesim Republikën e Kosovës dhe rrugën e saj drejt zhvillimit e fuqizimit të mëtejshëm,” përfundoi Qoku në postimin e tij, të cilit i ka bashkëngjitur edhe fotografi nga atmosfera masive e tubimit në Tetovë.

sqShqip