Në këtë qytet me peshë të veçantë në historinë kombëtare, prej kryengritjeve për liri e deri te beteja për arsim shqip, folëm për lidhjet e forta mes shqiptarëve dhe për bashkëpunimin që duhet të thellohet çdo ditë.
Bashkë me Bilall Kasamin, Izet Mexhitin dhe deputetin Bekim Qoku, kujtuam kontributin e brezave që mbrojtën gjuhën, arsimin dhe të drejtat e shqiptarëve, si dhe solidaritetin e madh që Tetova dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë treguar për Kosovën në kohët më të vështira.
Vizita na shërbeu gjithashtu për të riafirmuar përkushtimin ndaj forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Tashmë kemi edhe rezultate konkrete të projekteve të përbashkëta, si funksionalizimi i sistemit “One Stop Shop” në pikat kufitare, avancimi i projekteve infrastrukturore që i lidhin më afër qytetarët e të dyja vendeve, përfshirë rrugën Prizren–Tetovë dhe aksin Bllacë–Shkup, si dhe zhvillimi i interkonektorit energjetik 400 kV Tetovë–Prizren. Bashkimi, bashkëpunimi dhe investimi në projekte të përbashkëta mbeten garancia më e mirë për zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e shqiptarëve në rajon.
Kur shqiptarët bashkëpunojnë, fitojnë qytetarët, zhvillohet ekonomia dhe forcohet e ardhmja jonë.
Prandaj, për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Maqedoni të Veriut dhe që kanë të drejtë vote në Kosovë, thirrja jonë është e qartë: më 7 qershor, Kosova ka nevojë edhe për zërin tuaj.
Ejani, votoni dhe bëhuni pjesë e vendimit për rrugën përpara.

