Deri në orën 10:00 në zgjedhjet në Serbi kanë dalur 19,8% e votuesve: Për 10% më shumë në krahasim me zgjedhjet e vitit 2023
Deri në ora 10:00, dalja e votuesve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi ka qenë 19,8 për qind, njoftoi misioni vëzhgues “Crta”.
Në të njëjtën periudhë gjatë zgjedhjeve të mëparshme parlamentare në vitin 2023, dalja ishte 9,8 për qind.
Kurse deri në ora 13.00 në votime kanë dalur mbi 41 për qind.
Jehona e lartë e votuesve në këto zgjedhje, nga analistët konsiderohet si sinjal i qartë për fitore të opozitës, respektivisht disfatë të pushtetit të presidentit të dorëhequr, Aleksandar Vuçiq.
Ndryshe sipas misionit vëzhgues ‘Crta’, vendvotimet në mbarë Serbinë u hapën kryesisht në kohë, ku para tyre u krijuan radhë të dukshme.
– Në 16 për qind të vendvotimeve, hapja u vonua për më shumë se 10 minuta. Në katër për qind të vendvotimeve, vëzhguesit raportuan përgatitje të papërshtatshme të ambienteve, gjë që çoi në debate midis anëtarëve të këshillave zgjedhore dhe vonesë në hapje – deklaruan nga “Crta”.
Gjithashtu, ata vunë re se në të gjitha vendvotimet, thasët me material zgjedhor “ishin mbyllur siç duhet me vulë sigurie”.
Një pjesë e qendrës së Beogradit është mbyllur për qarkullim, ndërsa linjat e transportit publik janë ndryshuar pranë selisë së Komisionit Zgjedhor Republikan (RIK), si dhe është vërejtur prani e shtuar e policisë.
Kryetari i RIK-ut, Vladimir Dimitrijević, njoftoi se vendvotimet në Serbi ishin hapur kryesisht në kohë, në orën 7, por se në disa vende kishte vonesa të vogla për shkak të interesimit të madh të votuesve dhe përgatitjeve të këshillave zgjedhore.
– Prandaj, do t’i lutesha votuesve dhe anëtarëve të këshillave zgjedhore për pak mirëkuptim dhe durim – deklaroi Dimitrijević në konferencën e parë të rregullt për shtyp të RIK-ut.
Ai u bëri thirrje anëtarëve të këshillave zgjedhore të ruajnë rendin gjatë gjithë ditës së zgjedhjeve dhe të veprojnë në përputhje me rregulloret ligjore dhe udhëzimet e Komisionit.
Votuesit nga Kosova do të votojnë në 60 vendvotime në Rashkë, Tutin, Vranjë dhe Kurshumli.
Televizioni lokal *TV Most* njoftoi se një numër i madh votuesish serbë në orët e hershme të mëngjesit janë nisur drejt Serbisë qendrore, pasi autoritetet në Prishtinë nuk lejuan votimin në atë territor.
Sipas televizionit, serbët nga Leposaviqi, Zveçani, pjesa veriore e Mitrovicës së Kosovës, Zubin Potoku, por edhe nga zonat serbe në jug të Ibrit, Graçanica, Shtërpca dhe rajoni i Pomoravljes së Kosovës, u nisën me autobusë dhe automjete private drejt vendvotimeve në Rashkë, Tutin, Vranjë dhe Kurshumli.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të sotme në Serbi, të drejtë vote kanë 6.451.292 votues. Zgjedhjet po mbahen në 8.392 vendvotime – duke përfshirë 29 në institucione korrektuese dhe 93 jashtë vendit, në 37 shtete, ku ka 102.147 votues. Fletëvotimet janë shtypur në 29 gjuhë.

