Shkruan: Vladimir Kera, Teolog-Tiranë
Një hoxhë nga Shkupi më tha: “Po shikoj që merresh me media, a më tregon disa metoda se si të bëhem i ndjekur në rrjetet sociale?”
I thashë: “Mbaj shënim, këto janë hapat që brenda pak ditësh të dalësh hoxhë ‘top’ i ndjekur:”
1- Hape live me komentim ëndrrash. Shpjego ëndrrat aty për aty; njerëzit çmenden pas këtyre gjërave. Vetëm për gjëra që të çelin sytë mos fol.
2- Mbaj tema që ose të bëjnë për të qarë – me tituj bombastikë: “emocionale”, “madhështore”, “nëna me një sy”, “djali pa duar që falet”… sa më shumë dramë, aq më mirë.
3- Mbaj linjën ku çdo gjë e bën gallatë totale: çdo gjë trajtoje me humor, bëj barsoleta për gjithçka. Nuk ka rëndësi çfarë thua; rëndësi ka të qeshin në fund.
4- Bëj gjëra ekstreme – aty ku s’shkohet, shko; aty ku s’flitet, fol. Dil në rrugë, në mal, në ujë, mbi pemë… mjafton të dukesh ndryshe dhe “viral”.
5- Bej foto vetes duke u lutur, dil live duke u falur, bëj foto ne sexhde, bej foto ne rrugë duke u falur… dhe mos harro hidh shprehje madhështore.
6- Kujdes: mos fol për gjëra që duan mendim, sepse masa e gjerë lodhet. Bjeri shkurt, po aq shkurt sa as vetë mos ta kuptosh. Mbaje sa më thjeshtë, madje edhe banal. Fol si në rrugë, që masa të ndjejë se ti je “njëri prej tyre”, jo dikush që kërkon t’i ngrejë ata.
7- Mos u fut te gjërat serioze – jeta, arsimi, ekonomia, shteti, shoqëria… këto i zgjojnë njerëzit nga rehatia dhe pastaj s’të ndjek kush.
8- Në vend të tyre, mbushu me tema “të nxehta”: shenja kijameti, magji, komplote, “sekrete”, emra konkretë për përçarje. Sill emra personash që janë të devijuar dhe trego si ka shkuar puna deri në fund, sepse njerëzit i duan telenovelat që kanë seri… këto i ndezin njerëzit menjëherë.
Mos e harro: në fund, ajo që ka rëndësi është ajo që s’ka rëndësi.

