Kujtime që bartin detyrimin për mirënjohje dhe falenderim

Shkruan: Ismail Bilalli, veteran i arsimit nga Kumanova

Në vitet 1975-1982 isha mësues në fshatin Grushinë. Ishte një fshat i rrethit të Shkupit, për të cilin nuk kisha dëgjuar. Nuk e dija se ku ndodhej. Nuk e dija se a ishte larg apo ishte afër qytetit ku jetoja. Nuk e dija se me se udhëtohej. Ajo që më nxiti të interesohem për këtë fshat ishte nevoja. Unë isha mësues, e në atë fshat kërkoheshin mësues. Mësues me Shkollë të Lartë ose me Shkollë Normale. Me Shkollë të Lartë në atë kohë kishte shumë pak, e ata suksesshëm zëvendësoheshin me normalistë.

Me ndihmën e drejtorit të shkollës së këtij fshati, Hamzi Zimberi nga Çerkezi, të cilin e falënderoj, u punësova si mësues. Fshatarët më pritën mirë. Fëmijët (nxënësit) ishin të mrekullueshëm. Aty si mësues i ri dhe fillestar që isha, punën e fillova me seriozitet të madh. Isha entuziast dhe për gjashtë-shtatë vjet sa punova aty profesionin e mësuesit e përjetova me shpirt.

Isha nga fshati Stançiq. Familja ime ishte shpërngulur nga Stançiqi në vitin 1973, dhe ishte vendosur në Kumanovë. Në vitin 1975, nga fshati, në Kumanovë erdha edhe unë. Kumanova ishte për mua një mjedis i ri. Në mjedisin e ri e në rrethanat e reja, me atë shkollë që kisha duhej gjendur disi. Nuk kisha as shokë fëmijërie, as shokë çobanie, as shokë fshati, as shokë shkolle, sepse ata më kishin mbetur në Kosovë. Pa shoqëri e pa e njohur askend, ishte shumë vështirë të orientoheshe, të gjeje ndonjë shteg e të depërtoje andej kah të thërriste e të detyronte jeta. Nuk dija çfarë të bëja. Fillova rregullisht t’i përcillja konkurset. Në një konkurs e pashë se në fshatin Grushinë kërkoheshin mësues dhe arsimtarë. Menjëherë u interesova dhe nisa të hulumtoj se kush ishte drejtor shkolle në atë fshat. Kuptova se drejtor ishte një person nga fshati Çerkez i Kumanovës. Duke qarë dert me babain se si t’ia bëj më tutje, si t’ia gjejmë fijet, në bisedë e sipër u shfaq një fije shprese. Dhe u kapa për të. Babai më tha se -pasi po u kërkoka një mësues në Grushinë, dhe qenka drejtor Hamziu, i cili me prejardhje ishte nga fshati Goshincë, unë e njoh një vëlla të tij. Vëllai i tij ishte pylltar. Menjëherë kontaktova me drejtorin, dhe bisedova me të. Ai më tha se pasi qenke me Shkollë Normale, besoj se nuk do të ketë problem. Pas pak ditësh më njoftoi që të shkoja e t’ia filloja punës. E fillova punën si mësues në fshatin Grushinë.

Unë çdo ditë duhej të udhëtoja, nga qyteti i Kumanovës për në fshat dhe anasjelltas. Në kohën me diell, me shi, me stuhi e borë. Autobusi që qarkullonte Kumanovë-Shkup, rrugës së vjetër që i lidhte shumë fshatra shqiptare, nuk qarkullonte me rregull. Autobusët ishin të vjetër, rruga ishte e paasfaltuar dhe me gropa dhe ishte shumë e natyrshme që ata shpesh të prisheshin. Kjo e bënte udhëtimin të vështirë. Sidomos dimrit. Por, aty ishte shtëpia e Agës Bexhet ( Haxhi Bexhet Kamberit); ishte sofra e shtëpisë së tij e cila më së shumti më ka dhënë bukë. Nuk më dha vetëm bukë, por më dha edhe bujtje ( bujtje-kaloj natën si mysafir). Bukë dhe bujtje më kanë dhënë edhe shtëpitë e Agës Dullë (Haxhi Abdulla Kamberit) dhe e Agës Xhat (Nexhat Abdullahut). Fshati Grushinë më ka dhënë shumë, më ka dhënë respektin dhe krenarinë. Më ka dhënë dashurinë për fëmijët dhe për profesionin e mësuesit. Unë fëmijëve të atij fshati e kisha detyrim të iu jepja edukatë dhe dije. Para se ta kisha detyrim e kisha edhe ideal, nga i cili nuk kam hequr dorë edhe sot, që po bëhen tetë vjet që jam mësues në pension.

Viti 1982, ishte fundi i kësaj etape të bukur jete e mbushur me respekt, si mësues në këtë fshat. Më ndanë nga nxënësit. Ishte një ndarje e rëndë dhe e dhimbshme. ( Por rreth kësaj nuk do të zgjatem. Nuk është qëllimi i këtij shkrimi të rrëfej për këtë ngjarje, ndarjen me nxënësit). Prej asaj kohe ka kaluar afër gjysmë shekulli e unë nuk e kam harruar Sofrën e shtëpisë së Agës Bexhet, Agës Dullë dhe Agës Xhat. I falënderoj që të tre. Falënderim i veçantë shkon për Agën Bexhet. Sofra e tij është shtruar shumë herë për mua. Në shtëpinë e tij kam bërë edhe shumë bujtje. Ishte ajo shtëpi që sa herë pata nevojë gjeta strehë dhe bukë. Ajo shtëpi meriton ( edhe pas pesëdhjetë vjetësh) falënderim për bukën, bujtjet dhe mikpritjet që mi ka dhënë. Lidhja me këtë shtëpi u bë më e fortë kur me djalin e Agës Bexhet, Kamberin, u bëmë edhe kolegë. Një vajzë të tij, Gjylsimen, e kisha nxënëse. Edhe djalin e tij Llokmanin e kisha nxënës. Këta fëmijë (të Agës Bexhet), që i pata nxënës, ishin nxënës me një edukatë familjare shembullore. Edhe në mësime ishin të shkëlqyeshëm. Unë si mësues në këto rrethana, punoja me shumë vullnet dhe dashuri. Ishin kushtet e vështira për udhëtim që e shtinin Agën Bexhet të na ndalte, të buanim tek ai. Unë ngushtohesha, por ishin zemërgjersia dhe sinqeriteti i Agës Bexhet që më bënin të mos më vinte zor, të ndalesha për të bujtur në shtëpinë e tij si në shtëpinë time. Përndryshe nuk do të isha ndalur e t’iu nxjerr punë tërë familjes në stinë dimri.

Aga Bexhet Ti tani je në amshim. Jam i sigurtë se je në xhenet. Dhe nga xheneti prite këtë falënderim nga unë, mësues i para 48 vjetësh, në fshatin tuaj, Ismail Bilalli. Mësuesit që i dhe bukë, që i dhe strehim kur pati nevojë, që i dhe respekt, mësuesit Ismail Bilalli. Aga Bexhet të falemnderoj nga zemra, për bukën që më ka dhënë sofra jote, për bujtjet që m’i ofroi shtëpia jote, për mikpritjen që më dhe ti si kryefamiljar dhe si Zot shtëpie, i ndihmuar edhe nga anëtarët tjerë të familjes tënde. Pa zemër të madhe e humane, pa mund e skrificë, pa e prishur edhe rehatinë tënde, këto nuk do të ishin bërë. Të falemnderit!

sqShqip