Kosovë

Osmani dekoron Kosnett me urdhrin “Dr. Ibrahim Rugova”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar sot në takimin lamtumirës ambasadorin e SHBA-së në Prishtinë Philip S. Kosnett, për kontributin e dhënë në ndërtimin e paqes dhe zhvillimit të demokracisë në vend.

Duke e falënderuar për punën e palodhshme dhe angazhimin jashtëzakonisht aktiv gjatë misionit të tij në vendin tonë, Osmani tha se puna e ambasadorit Kosnett dhe të stafit të tij janë po ashtu kontribuese të rëndësishme në drejtim të mbajtjes së Kosovës lartë në agjendën e politikës së jashtme të SHBA-së.

Palët diskutuan edhe për raportet e thella e strategjike ndërmjet të dy vendeve, me ç’rast presidentja Osmani vlerësoi se tashmë jemi në një etapë të re të bashkëpunimit bilateral, e cila krijon mundësi të jashtëzakonshme për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në vitet në vijim.

Me këtë rast, ambasadori Kosnett shprehu mirënjohjen e thellë për vlerësimin e punës së tij dhe konfirmoi se raporti në mes të Kosovës dhe SHBA-ve do të jetë përherë i fortë dhe i pakontestueshëm.

Në takim palët vlerësuan lart edhe faktin se raporti në mes të dy vendeve tona po zhvillohet gradualisht me një dinamikë të re e premtuese, ku Kosova po bëhet më shumë partner aktiv dhe kontributdhënës në procese të ndryshme strategjike.

Në këtë kontekst, u apostrofua vendimi i fundit i institucioneve kosovare për mikpritjen e qytetarëve afganë, angazhimin e FSK-së në misione paqeruajtëse krah ushtrisë amerikane, si dhe angazhimi aktiv i Kosovës në luftën ndaj terrorizmit.

Ndryshe, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka nominuar për ambasador të ri në Kosovë Jeffrey M. Hovenier.

Hovenier, i cili pritet të zëvendësojë ambasadorin aktual Kosnet, është një diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan që ka qenë pjesë e stafit të të Dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.