Ndërkaq, sipas njoftimeve, ky shërbim është falas dhe pa pagesë për ata që përzgjidhen ta gëzojnë këtë të drejtë

Gostivar, 9 prill – Një numër i madh i të moshuarve në rajonin e Pollogut ditët e pleqërisë janë të detyruar që t’i kalojnë të vetmuar. Por, për këta të moshuar tashmë ekziston një dorë e zgjatur që sadopak t`ua lehtësojë jetën. Kryqi i Kuq i Gostivarit, në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale është duke zbatuar një program, i cili ofron përkujdesje falas në shtëpi për të gjithë të moshuarit që janë të vetëm dhe kanë nevojë për përkujdesje. Ky shërbim ka për qëllim që të ndihmojë personat që janë të moshës mbi 65 vjeçare, sidomos ata që jetojnë vetëm ose janë prindër, të cilët familjen e kanë jashtë vendit.

Për këta persona ofrohet përkujdes në ambientin e tyre ku jetojnë. Programi ka filluar që nga viti 2025 dhe përfshinë 20 kujdestarë të trajnuar, të cilët mund të përkujdesen për dy ose tre të moshuar, njofton Merita Alili nga Kryqi i Kuq në Gostivar. Sipas saj, janë të licencuara katër organizata që e ofrojnë këtë shërbim, të cilët ofrojnë shërbime korrekte dhe cilësi gjatë përkujdesjes. “Shërbimin për kujdestari kanë të drejtë t`a shfrytëzojnë personat mbi 65 vjeç, të cilët jetojnë vetëm në shtëpi dhe kanë nevojë për një person afër tyre. Kemi filluar që nga viti 2025, ndërsa vazhdojmë edhe këtë vit, ku kemi të drejtë që të angazhojmë 20 kujdestarë, ndërsa një kujdestarë ka të drejtë që të përkujdeset për dy ose tre pleq çdo ditë”, thotë Merita Alili nga Kryqi i Kuq në Gostivar.

Personat që mund t`a marrin këtë shërbim përzgjidhen nga Qendra Për Punë Sociale në bashkëpunim me mjekët amë ku vlerësohet gjendja shëndetësore dhe nevoja reale për ndihmë. Ndërkaq, personat e moshuar që e fitojnë këtë të drejtë, më pas mund të përzgjedhin se cili nga kujdestarët do të përkujdeset për atë. Çdo person ka të drejtë 80 orë përkujdesje brenda një muaji ku përfshihet ndihma në higjienën personale, blerja e ushqimeve, përkujdesje bazike shëndetësore si dhe nevoja tjera varësisht prej gjendjes së personit të moshuar. “Aplikimet bëhen përmes Qendrave për Punë dhe Politikë Sociale, duke bashkëpunuar me mjekët amë, duke pasur parasysh nevojën e tyre dhe diagnozën, sidomos ata që nuk janë të aftë të përkujdesen për veten, ata mund të aplikojnë tek Qendra për Punë dhe Politikë Sociale dhe më pastaj prej aty personat e moshuar drejtohen tek organizatat që janë të licencuara sipas llojit të shërbimit që e japin. Zakonisht një kujdestar brenda muajit për një person të moshuar ofron ndihmë prej 80 orëve”, thotë Alili.

Ndërkaq, sipas njoftimeve, ky shërbim është falas dhe pa pagesë për ata që përzgjidhen ta gëzojnë këtë të drejtë. Në një kohë kur pjesa dërmuese e popullatës së re kërkon zgjidhje në vendet perëndimore, ata që më së shumti kanë nevojë për një përkujdesje të kësaj natyre janë të moshuarit. Edhe më të rëndë e bën këtë situatë mungesa e shtëpive të pleqve, pasi që shpeshherë personat e moshuar nuk kanë asnjë njeri afër tyre që të kujdeset, kjo ndihmë është më se e mirëseardhur për këtë kategori të qytetarëve. (koha.mk)

sqShqip