Në Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve të Maqedonisë u mbajt mbledhje komemorative në nderim të figurës së ish rektorit të UT-së, profesorit, historianit të shquar Ramiz Abdyli. Në akademi të pranishmit theksuan kontributin e tij shumëvjeçar për krijimtarinë e tij shkencore dhe botuese në shërbim të kombit shqiptar, e cila do tu shërbejë gjeneratave dhe brezave të ardhshëm.
“Emrin e profesorit Ramiz Abdyli, e kam hasur për herë të parë si nxënës i gjimnazit të Tetovës, kur filloi të shpërndahet revista “Kosova” në mesin e nxënësve. Kjo revistë botohej në Tiranë për shkak të kushteve të vështira që mbizotëronin atëherë në Kosovë.”, u shpreh drejtori i ITKSH-së, Besnik Emini.
“Ai la gjurmë të pashlyeshme në jetën akademike të këtij Instituti, Univerzitetit të Tetovës dhe të Institutit të historisë “Ali Hadri” në Prishtinë. Si kolegë ne e kujtojmë me respekt përkushtimin e tij maksimal.”, u shpreh Qerim Dalipi, profesor-historian.
“Ramizi tërë jetën pos shkencës dhe historisë ia kushtoi edhe edukimit arsimimit të emancipimit kombëtar të brezave të ri. Vepra dhe angazhimi jetësor i Ramiz Abdylit në këtë mision human dhe të shenjtë do të kujtohet në mënyrë të veçantë nga brezat.”, u shpreh Fehmi Rexhepi, profesor.
“Njerëzit e hijeve e ndoqën hap pas hapi duke arkivuar çdo aktivitet të tij që nga hapja e paraleleve shqipe në Kumanovë e deri tek kërkimet e tij arkivore. Pavarësisht vëzhgimeve profesor Abdyli nuk u thye, ai e përdori shkencën si formën më të lartë të rezistencës duke e ditur se fakti I shkruar është më I fuqishëm se aparati i dhunës.”, u shpreh Emin Azemi, ish nxënës i profesorit.
“Është e vështirë të gjej fjalë për babin tim sidomos kur e ndiej dhe shoh gjithë këta miq, shokë, student, kolegë që kanë qenë dhe janë me ne në këto ditë të vështira. Babi i ka pasur të shenjta dy gjëra: nxënësit dhe studentët e tij, dhe ka pasur të shenjtë shkencëtarët shqiptarë.”, u shpreh Kastriot Abdyli, djali i profesorit Ramiz Abdyli.
Ramiz Abdyli lindi në vitin 1944 në Llojan të Kumanovës. Punoi si mësues në disa nga shkollat e Kumanovës me rrethinë. Ai botoi 29 libra shkencore. Ramiz Abdyli ishte i përzgjedhur në mesin e 5000 personaliteteve të shquara të kohës për vitin 1998 nga Instituti Biografik Amerikan i Karolinës Veriore. Ka marrë pjesë me kumtesa dhe referate në dhjetëra simpoziume e sesione shkencore në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Serbi dhe në Kroaci.

