Grupi Parlamentar i Frontit Evropian ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë për të tërhequr nga procedura parlamentare Propozim-ligjin për lojërat e fatit, duke e cilësuar këtë hap si të pakuptueshëm dhe joserioz. Në reagimin e tyre, deputetët theksojnë se bëhet fjalë për një çështje që ishte prezantuar si prioritet për mbrojtjen e qytetarëve dhe familjeve, si dhe për rregullimin e një sektori të ndjeshëm, por që sipas tyre, është tërhequr pa asnjë sqarim publik.
“Kjo tregon mungesë të qartë konsistence dhe përgjegjësie në politikëbërje,” thuhet në reagim, duke shtuar se qytetarët meritojnë transparencë dhe seriozitet, e jo vendime të paqarta dhe të paqëndrueshme.
Nga Fronti Evropian rikujtojnë edhe përmasat ekonomike të industrisë së lojërave të fatit, duke theksuar se sipas të dhënave, gjatë vitit të kaluar ky sektor ka realizuar qarkullim prej rreth 2.7 miliardë eurosh, një shumë që sipas tyre përbën afërsisht gjysmën e buxhetit të shtetit. “Kjo është arsyeja pse Qeveria nuk e ndal këtë biznes, përkundrazi e ka stimuluar”, theksojnë nga ky grup parlamentar. Në reagim drejtohen kritika edhe ndaj përfaqësuesve të koalicionit VLEN, për të cilët thuhet se nuk po qëndrojnë pas premtimeve dhe politikave që vetë i kanë promovuar.
“Nëse nuk janë në gjendje të mbajnë përgjegjësi për politikat e tyre, atëherë duhet të japin llogari të qartë para qytetarëve”, thuhet më tej. Fronti Evropian vlerëson se luhatjet dhe vendimet e paarsyetuara në çështje të tilla përbëjnë jo vetëm dështim politik, por edhe dëm të drejtpërdrejtë ndaj interesit publik dhe besimit të qytetarëve në institucionet shtetërore.

