Maqedoni

Partitë në pushtet kritikojnë koalicionin VMRO-Aleanca-Alternativa

LSDM-ja mendon se Koalicioni mes Mickovskit, Selës dhe Gashit është i destinuar në humbje. Ky është reagimi i parë i tyre pas publikimit nga VMRO-DPMNE-ja se në zgjedhjet lokale do të garojnë në koalicion me Aleancën për Shqiptarë dhe Alternativën. Socialdemokratët janë të bindur se koalicioni i tyre do të jetë fitues në zgjedhjet lokale, pasi do të ofrojnë ofertë të qartë, konkrete dhe program të realizueshëm.

LSDM

“I ballafaquar me humbjen e shtatë me radhë nga populli, Mickovski është aq i frikësuar sa që promovon koalicion me njerëzit që i quajti tradhtarë, me ata që sipas VMRO-DPMNE-së “nuk e njohin identitetin maqedonas” dhe me të njëjtin Selë të cilin ata të VMRO-së dhunshëm e tërhiqnin zvarrë në Kuvend dhe i shkaktuan lëndime serioze për jetën më 27 prill”.

Nga BDI për Alsat thonë se regimet që i kanë dëgjuar në opinion, janë se votuesit e partive opozitare nga blloku shqiptarë janë të tronditur nga ndryshimi radikal ideologjik i Gashit dhe Selës.

BDI

“Koalicioni “27” është punë ekskluzivisht e liderëve të tre partive për interesa të ngushta personale, për të shpëtuar dhe aspak nuk i kanë marrë në konsideratë votuesit e tyre. Asnjë votues i Alternativës dhe Aleancës nuk është pyetur nëse është i lumtur dhe entuziast që do të shkrihet, votojë dhe të bëjë fushatë për VMRO-DPMNE-në dhe anasjelltas”.

Por, partitë opozitare të inkurajuar nga bashkimi me partitë shqiptare e porositën pushtetin se i pret humbje e rëndë në zgjedhje. Kryetari i VMRO-së, Hristijan Mickovski, tha se bëhet fjalë për moment historik për të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Mickovski tha se ata do të mbështeten në nivel të kryetarëve të komunave.

“Jemi marrë vesh atje ku do ketë kandidatë për kryetarë nga Aleanca dhe Alternativa, VMRO të mos dalë me kandidat dhe anasjelltas. Atje ku me kandidat do dalë VMRO-DPMNE, Alternativa dhe Aleanca të mos dalin me kandidatët e tyre. Pres që ky koalicion të ngadhënjej mbi ndarjet, mos pasjen e shpresës, kriminalitetin, korrupsionin, mos pasjen e ideve, paaftësinë dhe mos pasjen e vizionit dhe strategjisë për zhvillimin e Maqedonisë”- deklaroi Hristijan Mickovski, kryetarë i VMRO-DPMNE-së.

Rrethi i parë i zgjedhjeve lokale është caktuar për më 17 tetor./Alsat