Deri më tani 15 kandidatë të pavarur për kryetarë të komunave
Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) në seancën e sotme të 17 -të kumtoi se deri më tani 15 kandidatë të pavarur për kryetarë komune i kanë mbledhur nënshkrimet e nevojshme për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, ndërsa nënshkrime kanë mbledhur edhe 30 lista të pavarura këshilltarësh në komuna të ndryshme në njësitë rajonale të KSHZ -së.
Deri më 30 gusht zgjat mbledhja e nënshkrimeve për kandidatët e pavarur për kryetarë dhe lista këshilltarësh, ndërsa punonjësit në njësitë rajonale, nesër dhe të dielën do të punojnë një orë më vonë, ndërsa më 30 gusht, ata do të punojnë deri në orën 24:00, u kumtua në seancë.
Mbledhja e nënshkrimeve të kandidatëve të tjerë të pavarur për kryetarë komune që nuk janë përfunduar është duke u zhvilluar, si dhe listat e këshilltarëve.
KSHZ -ja në seancën e sotme gjithashtu kumtoi se deri dje, gjithsej 5164 persona u kontrolluan në Listën zgjedhore. Prej tyre, janë paraqitur gjithsej 11 kërkesa për regjistrim në Listën zgjedhore, 12 kërkesa për fshirjen e të dhënave nga Lista zgjedhore dhe katër kërkesa për ndryshimin e të dhënave në Listën zgjedhore.
Gjithsej 17 kërkesa u paraqitën në KSHZ në e-mail adresën upisis@sec.mk.
Procedura për inspektimin publik të Listës zgjedhore për zgjedhjet lokale të caktuara për 17 tetor do të zgjasë deri më 9 shtator.
Qytetarët mund të bëjnë inspektim publik në njësitë rajonale dhe zyrat e KSHZ -së, si dhe në mënyrë elektronike përmes ueb faqes së Komisionit.