A do të përçahet vota shqiptare në Kërçovë? Grubi i bindur: Do të fitojmë edhe në Kërçovë edhe në Tetovë
Fatmir Dehari u konfirmua si kandidat i BDI-së për Kërçovën, ndërsa më herët kandidaturën e ka shpall edhe Fatmir Limani si i pavarur. Artan Grubi i BDI-së është i bindur se Dehari do të dalë fitues në zgjedhjet e 17 tetorit në Kërçovë dhe se sërish shqiptarët do të udhëheqin me këtë komunë.
“E kemi parë dje me një kuvend madhështor me të gjithë kryetarët e këshillave vendor me anëtarësinë e Kërçovës dhe me prezencën e liderit u zyrtarizua kandidatura e Fatmir Deharit si i vetmi fituese në Kërçovë se nuk mund të ketë kandidaturë tjetër, anketat që i kemi realizuar janë tre me radhë vetëm në Kërçovë me nga një mijë persona dallimi është marramendës domethënë 40 me 1 % prinë Fatmir Dehari në çdo anketë dhe nuk ka asnjë dyshim të vetëm se Fatmir Dehari është dhe do të jetë kandidat i komunës së Kërçovës”, tha Grubi.
Grubi thotë se edhe Teuta Arifi do të fitojë në Tetovë, ndërsa sipas tij fitojnë edhe në Gostivar.
“Teuta Arifi është kryetare e Tetovës, do vazhdojë të jetë kryetare e Tetovës edhe pas zgjedhjeve të 17 tetorit për arsye se këtë e dëshirojnë tetovarët, për arsyeje se kështu janë përcaktuar tetovarët në të gjithë anketat që i kemi bërë. Pa asnjë dyshim me katër shtator në Gostivar BDI do t’i konfirmon kandidaturat për kryetar të komunash dhe sipas sondazheve tona nga 18 komuna ku ne do të garojmë 16, të gjitha i fitojmë pa asnjë dyshim, ku mund të hymë në rreth të dytë kemi një garë më të vështirë, mund të jetë Bërvenica , Studeniçani dhe eventualisht Çashka. Tek tjerat s’kemi asnjë dyshim të vetëm”, shtoi Grubi.
Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev, ende nuk ka përgjigje nëse në zgjedhjet lokale për qytetin e Kërçovës do të dalin me kandidatin e tyre, apo do të mbështesin atë të BDI-së.
Ndërkohë edhe Aleanca për Shqiptarët po mendon të dal me kandidat të tyrin për Kërçovën, por ende asgjë nuk është definitive.
Sekretari i përgjithshëm i ASh-së, Arben Taravari tha se BDI me dy kandidatë po përçanë votën shqiptare në Kërçovë.
Nga ana tjetër VMRO-DPMNE kanë shpallur një numër të madh të kandidatëve për kryetar komunash, ndërsa për Kërçovën ende nuk kanë ndonjë emër.