Mexhiti: “Doku n’Çarshi” bashkoi Shkupin dhe Preshevën përmes artit

Shkup, 09.09.2025-Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, njëherësh kandidat për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, priti mbrëmë në Çarshinë e Vjetër të Shkupit kryetaren e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani.

Të dy ndoqën së bashku shfaqjen teatrore “Një dorëzim” nga autori i njohur Martin McDonagh, e interpretuar nga trupa teatrore e Preshevës, me aktorët Gani Veseli, Valon Nuhiu, Egzona Salihu dhe Gani Ibishi.

Shfaqja u dha në Sheshin “Skënderbeu”, në kuadër të Javës Kulturore “Doku n’Çarshi”, që po vazhdon ta shndërrojë Shkupin në një itinerar emocionesh, reflektimi dhe bashkëjetese kulturore – nga krijues lokalë te mysafirë nga Kosova dhe Shqipëria.

Pas shfaqjes, Mexhiti theksoi rëndësinë e kësaj mbrëmjeje kulturore.

“Ishte radha e Preshevës të flasë me gjuhën e artit, duke na dhuruar humor, mendim dhe një lojë të pasur skenike. Ishte kënaqësi e veçantë të përjetohet një natë ku arti i jep qytetit tonë një dimension të ri”, tha Mexhiti.

Ai ftoi qytetarët të marrin pjesë në aktivitetet e mbetura të festivalit, që jo vetëm pasurojnë jetën kulturore të Shkupit, por edhe rikthejnë vëmendjen te trashëgimia jonë e përbashkët dhe te vlerat e Çarshisë së Vjetër.

Java Kulturore “Doku n’Çarshi” përmbyllet të mërkurën, më 10 shtator, duke kurorëzuar një projekt që synon jo vetëm gjallërimin kulturor të qytetit, por edhe promovimin e diversitetit dhe historisë së Komunës së Çairit.

sqShqip