Më shumë pushim, më pak punë. Kështu deputetët e kaluan vitin, në të cilin shpesh ndodhte që të kishin pauza kur nuk mbanin as seanca dhe as nuk kishin ndonjë aktivitet në Kuvend. Dhe si zakonisht kishte shumë grindje dhe mosmarrëveshjesh.
Deputetët vitin që lamë pas e nisën më 10 janar, me një seancë për plot 5 interpelanca. Përgjegjësi u kërkua nga dy zëvendëskryeministrat Izet Mexhiti dhe Ivan Stoiljkoviq, ministri Pançe Toshkovski, si dhe nga kryetarja e Komisionit për Politikë Sociale Ilire Dauti. Vetëm ndaj Dautit u votua mosbesimi, pas së cilës ajo dha dorëheqje. Seanca kaloi në një atmosferë të ashpër.
“Ti nuk mund të më mbash me forcë, zotëri Afrim Gashi, nuk mundesh as ti, Mickevski, hesht, hesht aty dhe vetëm mund të dëgjosh. Mësoni të respektoni Rregulloren, ligjet dhe procedurat. Sidoqoftë, këtu sot do të dëgjohet zëri im dhe arsyetimi im për aktin e keq që keni bërë. Turp t’ju vijë”, tha Ilire Dauti, ish-kryetare e Komisionit për Politikë Sociale.
Kuvendi shënoi edhe sjellje të pahijshme të ministres së Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, e cila e tensionoi atmosferën gjatë një debati, kur e ofendoi duke i thënë një deputeteje se nuk ka të drejtë të flasë për familjet sepse nuk ka fëmijë.
“Në bazë të çfarë ju i vendosni në gojë nënat që kanë fëmijë dhe si e dini ju sa duhet të shpenzojë një familje me shumë anëtarë. Unë jam nënë e dy djemve dhe e di shumë mirë sa duhet të shpenzojë një familje katër anëtarëshe”, shtoi Gordana Dimitrieska Koçoska, ministre e Financave.
Deputetët e LSDM-së u mblodhën para Ministrisë së Financave dhe kërkuan dorëheqjen e Koçoskës.
“Kur një ministre në këtë shtet guxon të thotë se një grua nuk mund të flasë për familjen vetëm sepse nuk ka fëmijë, atëherë kjo nuk është vetëm fyerje, është goditje ndaj dinjitetit të të gjithëve ne. Kjo është arrogancë, kjo është diskriminim, kjo është çnjerëzore. Prandaj sot jemi këtu, me zë të lartë dhe qartë, të kërkojmë që Gordana Koçoska duhet të japë dorëheqje”, u shpreh Jovana Trençevska, LSDM .
Ngjarja tragjike që ndodhi më 16 mars në Koçan, ku humbën jetën 63 persona, ishte arsye që deputetët të mos mbanin seanca. Ndërkohë që qytetarët e revoltuar nga dështimet që çuan në tragjedi protestonin, deputetët për më shumë se dy javë nuk punuan. Nga Kuvendi u dha ky arsyetim.
“Të pranishmit u pajtuan në mënyrë konsensuale se, duke pasur parasysh ndjenjat e të gjithë qytetarëve pas tragjedisë në Koçan, duke shprehur respekt për të gjithë të ndjerët dhe shpresë që të lënduarit të kthehen sa më shpejt në gjendje të mirë shëndetësore, Kuvendi vendosi t’i anulojë të gjitha aktivitetet e planifikuara për këtë javë pune”, thanë nga Kuvendi.
Pas kësaj tragjedie, ministri Toshkovski sërish u përball me interpelancë.
“Në rastin e diskotekës në Koçan, një kërkesë e tillë për përdorim të piroteknikës nuk është paraqitur kurrë. Piroteknika është aktivizuar në fund të ngjarjes, pa paralajmërim paraprak”, tha Pançe Toshkovski, ministër MPB.
Ndërkohë ndodhën edhe trazira në koalicionin qeveritar, me largimin e Taravarit nga pushteti. Kjo shkaktoi ndarje edhe të deputetëve të VLEN-it në Kuvend, por edhe dilema se kush është koordinatori i grupit parlamentar, Bekim Qoku apo deri atëherë Halil Snopçe.
“Ky subjekt politik tani ka 9 deputetë, por normalisht janë të mirëpritur edhe deputetët e tjerë. Ne vazhdojmë të kemi marrëdhënie të mira me deputetët e ASh-së, sepse kemi qenë bashkë”, tha Bekim Qoku nga VELN.
“Nëse ata kanë grup parlamentar prej 9 deputetësh, duhet ta dëshmojnë këtë, ta formojnë një grup të tillë. Në këtë moment nuk ka një grup të tillë parlamentar. Aktualisht e vërteta është se unë jam koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it me 14 deputetë”, theksoi Halil Snopçe nga ASH.
Edhe një interpelancë tjetër. “Levica” parashtroi kërkesë për përgjegjësi ndaj tashmë ish-kryeprokurorit Lupço Kocevski. Ai nuk mori pjesë në seancë dhe në arsyetim shkroi se interpelanca është e paligjshme dhe ndërhyrje në sistemin gjyqësor. Edhe pse u votua, ai më pas vazhdoi ta ushtrojë funksionin.
“Lupço Kocevski, si prokuror publik i zgjedhur nga Kuvendi, ka pasur kontribut të konsiderueshëm në rrezikimin e objektivitetit, profesionalizmit dhe reputacionit të Prokurorisë dhe ka kontribuar në rënien e besimit të qytetarëve ndaj këtij institucioni”, tha Dimitar Apasiev, LEVICA.
Gushti, natyrisht, i rezervuar për pushimet e deputetëve. Dhe sërish, pothuajse një muaj i tërë, ata munguan nga shtëpia ligjvënëse. Pas kthimit nga pushimi u mbajtën dy seanca, e më pas, në fund të shtatorit, përsëri pauzë. Filloi fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale, edhe pse Kuvendi nuk i miratoi ndryshimet në Kodin Zgjedhor për të rregulluar pragun për kandidatët e pavarur. Këtë më pas u detyrua ta bëjë KSHZ-ja. Këtë herë pushimi zgjati diç më shumë se një muaj, madje më shumë se pushimi i rregullt, pas së cilës deputetët u kthyen sërish të freskuar në Parlament. Filloi gara se kush do të paraqesë iniciativë për formimin e Komisionit Hetimor për Koçanin. Ndërkohë u mbajt Komisioni i Përhershëm Hetimor, ku morën pjesë edhe prindërit e viktimave.
“Kush na e garanton sigurinë? Kush na e garanton? Edhe ju mund të gjendeni, edhe unë, edhe kushdo, ashtu siç u gjendën fëmijët tanë atje. Data është 15 drejt 16, atëherë ndodhi tragjedia. Jo para 20 vjetësh”, tha nëna e një fëmije të ndjerë.
Në fund të vitit ndodhi edhe mini-rikonstruksioni i Qeverisë. Kuvendi zgjodhi Bekim Salin për zëvendëskryeministër dhe ministër për çështje evropiane, si dhe Muhamet Hoxhën për mjedisin jetësor. Dhe krejt në fund, fjalimi i presidentes së shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova.
“Ju uroj një Vit të Ri që do ta mbani mend për të mirë”, tha presidentja Gordana Siljanovska Davkova.

