Rajon - Botë

Dënohet me 22 vite e gjysmë burg ish-oficeri i policisë që vrau George Floyd

Ish-oficeri i policisë Derek Chauvin që i mori jetën afro-amerikanit George Floyd ndërsa përpiqej ta neutralizonte është dënuar sot me 22 vite e gjysmë burg. Gjykatësi Peter Cahill u shpreh në sallën e gjyqit që gjykimi u bazua në ligj dhe jo në “emocione apo simpati”, por shtoi se ndjen dhimbje të madhe për familjet e përfshira, sidomos atë të Floyd-it.

“Kjo ka qenë një ngjarje e dhimbshme në të gjithë qarkun Hennepin, në të gjithë shtetin e Minesotës dhe në të gjithë vendin. Por më e rëndësishmja duhet të njohim dhimbjen e familjes Floyd.”

Kujtojmë se George Perry Floyd Jr u vra nga oficeri i policisë ndërsa ky i fundit mundohej ta rrestonte me dyshimin që kishte përdorur në një dyqan një kartëmonedhë false prej 20 dollarësh. Derek Chauvin, një nga katër oficerët e policisë që mbërritën në vendngjarje, i vuri gjurin në qafë për 9 minuta e 29 sekonda derisa ai ndërroi jetë. Ngjarja e rëndë ndodhi më 25 maj, 2020.