May 19, 2024
Maqedoni

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, koalicioni “Për Ardhmëri Evropiane” tubim në Shkup

Koalicioni “Për Ardhmëri Evropiane”, i kryesuar nga LSDM-ja, me tubim mbarëpopullor në Shkup. Ata promovuan platformën parazgjedhore të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale me fokus avancimin e politikave të mirëfillta që janë nisur sikurse vazhdimi i rrugës evropiane dhe anëtarësimin në BE. Sipas socialdemokratëve, anëtarësimi në familjen evropiane nuk duhet të jetë vetëm formal, por qenësor, për faktin se qytetarët duan të jetojnë në një shtet me ekonomi të zhvilluar, me arsim dhe shëndetësi më të mirë, sundim të së drejtës, si dhe më pak korrupsion. Kryetari i socialdemokratëve, Dimitar Kovaçevski, theksoi se Maqedonia me politika të mira dhe plan të sinqertë drejt qytetarëve, do të jetë pjesë e BE-së deri në vitin 2030.

“E tejkaluan vijën e kuqe dhe çështjet ndëretnike i kanë bërë biznes. Po, një pjesë e partive shqiptare si dhe partive maqedonase, nga çështjet etnike bënë profesion, biznes dhe karriera personale. Kjo nuk është e mirë dhe kjo do të duhet të ndryshojë shpejt dhe menjëherë pas 8 majit.”, – theksoi kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski.

Socialdemokratët me premtim për rrogë mesatare prej 1.100 euro deri në fund të mandatit që vjen. Ata thonë se mandati deri në vitin 2028 do ta përmbyllin duke mbrojtur dinjitetin e pensionistëve, pasi sipas tyre pensioni mesatar do të mbërrijë në 30 mijë denarë. Në tubim, fjalim mbajtën edhe partnerë të koalicionit me LSDM-në, si dhe bartësit e listave të koalicionit “Për Ardhmëri Evropiane.” Paralajmëruan investime mbi 2.8 miliardë euro, për modernizim të infrastrukturës në të gjitha komunat e vendit.

“S’do të lejojmë të kthehemi në të kaluarën kur pëshpëritnim. Kemi luftuar për Maqedoni stabile dhe të sigurt. Nëpërmjet vlerave evropiane në institucione po luftojmë për drejtësi për të gjithë. Nuk ka heqje dorë nga e ardhmja. Fitore!”, – u shpreh bartësi i listës i LSDM-së në njësinë e 2-të zgjedhore, Oliver Spasovski.

Kandidati për president, Stevo Pendarovski, tha se pas 30 vitesh pavarësi është i bindur se qytetarët dinë të vlerësojnë se programi i kujt zgjedhor është real dhe në hap me kohën në të cilën po jetojmë. Pendarovski tha se duke votuar atë, vendi e ka të sigurt rrugëtimin evropian duke ndërprerë rrugën njëherë e përgjithmonë regjimeve antievropiane.

“Unë i di anketat reale dhe realisht ju them se po fitojmë më 8 maj. Duke rrethuar numrin 1 vazhdojmë drejt Evropës dhe botës së zhvilluar dhe përfundimisht nuk kthehemi në regjim dhe shtet të robëruar. Të keni shëndet, të jetë e përjetë Maqedonia!”, – deklaroi kandidati për president, Stevo Pendarovski.

LSDM-ja dhe koalicioni me programin e tyre kanë paralajmëruar 180 milionë euro ndihmë financiare e drejtpërdrejtë për kompanitë e vendit për investime në prodhim, 3.5 miliardë euro investime kapitale, politika stabile tatimore, ndërkaq do të shqyrtojnë edhe analizat për shkurtimin e orarit të punës për një orë. Në program, gjithashtu janë parashikuar rritje të pagave të mjekëve dhe personelit tjetër mjekësor./TVM2