May 18, 2024
Maqedoni

Zgjedhjet presidenciale 2024, Osmani fton Siljanovskën në debat

Kandidati për president i “Frontit Evropian”, Bujar Osmani, para banorëve të fshatit Cërnilishtë në komunën e Dollnenit, kërkoi mbështetjen për siç tha kapitullin e ri, ku do të përjashtohen barrierat dhe kufizimet për mundësi dhe kushte të njëjta për të gjithë komunitetet në vend. Në këto zgjedhje, sipas Osmanit janë dy oferta: ajo e integrimit evropian brenda 5 viteve që e premton “Fronti Evropian” ose oferta e izolimit që e ofron VMRO-DPMNE-ja. Ai u shpreh se prej ditës kur VMRO-DPMNE-ja do të marrë 61 deputetët e kërkuar, do ta kërcënojë Marrëveshjen e Prespës dhe Marrëveshjen me Bullgarinë, ndërsa do ta rrezikojë edhe Marrëveshjen e Ohrit. Ftoi kandidaten e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova, të dalë në debat.

“Eja të dalim në debat, sepse dy ofertat tona janë alternativë e vetme. Eja të dalim në debat dhe unë do të flas për integrimin, ti do të flasësh për izolimin, unë do të flas për bashkëjetesën e “Frontit Evropian”, ti do të flasësh se si kërkon 61 deputetë për t’i përjashtuar shqiptarët, turqit e të tjerët nga vendimmarrja. Unë do të flas se secili prej nesh në xhepin e vet të ketë pasaportën evropiane, kurse ajo do të flet se si do t’i detyrojë njerëzit dhe maqedonasit të marrin pasaporta bullgare për të ikur drejt Evropës. Këto janë dy alternativa që na ofrohen neve.”, – deklaroi kandidati për president nga “Fronti Evropian”, Bujar Osmani.

Tani është koha kur duhen vizionarë, njerëz me eksperiencë dhe kontakte në botë që do të dinë të ruajnë stabilitetin e vendit dhe anëtarësimin në BE, tha Osmani para të pranishmëve.

Kandidati presidencial i “Frontit Evropian”, Bujar Osmani, ka realizuar takim edhe me banorët e Krushevës, ku ka theksuar se këto zgjedhje janë moment historik në përpjekjet për të garantuar një jetë më të begatë për njerëzit. Bashkimi është veçanërisht i rëndësishëm për vendbanime si Krusheva, ku çdo ndarje, çdo përçarje dobëson dukshëm trungun dhe fuqinë tonë.

Sipas Osmanit, historikisht përpjekja ka qenë të na përçajnë në parti qytetesh, që ne të krijojmë identitete rajonale, që ne të merremi me problemet lokale, të zihemi mes vete dhe të mos kemi mundësi që të krijojmë një platformë kombëtare ku do të jemi bashkë dhe do ta përkthejmë në institucionet e shtetit zërin e çdo shqiptari nga Struga në Likovë. Kryeministrin e parë shqiptar e realizuam duke u bërë bashkë, nuk e bëmë gjuhën shqipe zyrtare duke u përçarë, por duke u bërë bashkë, ashtu siç e zyrtarizuam flamurin kombëtar, tha Osmani.

Sipas tij, për këtë partitë e “Frontit Evropian” janë bërë bashkë, për ta realizuar misionin e radhës, misionin e presidentit të parë.