May 12, 2024
Maqedoni

Dogana e Maqedonisë kap shtetasin e Sllovakisë me 126 litra lëndë për prodhimin e kokainës dhe heroinës

Inspektorët e ekipeve mobile doganore të Departamentit për kontroll dhe hetime gjatë kontrollit të një automjeti të drejtuar nga shtetas sllovak, në hyrje të vendkalimit kufitar Tabanoc, kanë gjetur dhe konfiskuar një sasi të madhe të prekursorëve për prodhim droge, njoftojnë nga Drejtoria e Doganave, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Përkatësisht, me datë 10.12.2023 në vendkalimin kufitar Tabanoc për hyrje në Republikën e Maqedonisë së Veriut gjatë kontrollit të automjetit me targa të Sllovakisë në bagazh nga inspektorët doganor janë gjetur katërmbëdhjetë kanaçe me gjithsej 126 litra prekursorë të drogës nga të cilat 10 kanaçe me afishe TOLUEN LAKARSKY me peshë 9 litra secila dhe katër kanaçe me afishe ACETON me peshë nga 9 litra.

Pas ekspertizës së mallit, u konstatua se ato janë prekursorë që përdoren për prodhimin e disa llojeve të drogës si kokainë, heroinë dhe droga të llojit amfetamine”, thuhet në njoftim.

Ndaj personit, shtojnë nga atje, është paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike kompetente për veprën penale “Prodhimi dhe tregtimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekursorëve”./Telegrafi/