May 6, 2024
Maqedoni

Zgjedhjet presidenciale 2024, Dimitrievski takon rininë në parkun e Shkupit

Kandidati për president nga Lëvizja “E di”, Maksim Dimitrievski, vlerëson se Maqedonia e Veriut është në regres në të gjitha fushat, veçanërisht në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe drejtësisë. Ai në takimin me të rinjtë në parkun e kryeqendrës premtoi se nëse merr besimin, nga pozita e presidentit, do të propozojë formimin e një ekipi të posaçëm që do të ndërtojë strategji për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në vend.

“Unë nga pozita e presidentit të shtetit në kuadër të programit tim zgjedhor, në radhë të parë do të propozoj formimin e një ekipi special që do të ndërtonte një strategji speciale për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në vend, dhe përveç kësaj, në një nga kapitujt sigurisht që do të ketë një seksion për analizën e të gjitha koncesioneve të lëshuara nga shteti për të gjithë koncesionarët për të parë se kush sa taksë i paguan Maqedonisë. Unë besoj se Maqedonia duhet të ndërtohet në një shtet të vetëqëndrueshëm, sepse ne kemi kapacitete të tilla.”, – theksoi kandidati për president nga Lëvizja “E di”, Maksim Dimitrievski.

Kandidati për president, Maksim Dimitrievski, shprehet se edhe pse nuk është kompetencë e drejtpërdrejt e presidentit të shtetit, ai në çdo moment mund t’i propozojë ligje apo zgjidhje të caktuara pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ. Sipas tij, duhet të ndërtojmë një shoqëri të vërtetë multietnike në të cilën të gjithë kanë të drejta të barabarta, por edhe obligime të barabarta.