May 5, 2024
Maqedoni

Zgjedhjet parlamentare 2024, “Fronti Evropian” kërkon votën më 8 maj

Pas përfundimit të rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale, “Fronti Evropian” është i koncentruar te fushata për zgjedhjet parlamentare. Ky koalicion garon me kandidatët e tij për deputetë në gjashtë njësitë zgjedhore. Kreu i BDI-së, Aliu Ahmeti, duke iu drejtuar simpatizantëve të kësaj partie, mbrëmë deklaroi se tani “Frontin Evropian” e pret përballja e radhës për zgjedhjet parlamentare, por apeloi të mbahet llogari, sidomos në zonat ku mund të rrezikohet ndonjë mandat. Ahmeti tha se pret që më 8 maj të rritet përkrahja për “Frontin Evropian”. Vota e çdo votuesi është e shenjtë përball motos “Jo Rusisë, po Evropës”, tha ai, duke shtuar se “Fronti Evropian” është një mision i cili ndryshon rrjedhat politike gjeostrategjike në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Më 8 maj e kam një porosi si vëllai vëllait, për të gjithë ata votuesit aty ku rrezikohet ndonjë mandat, le të kenë kujdes.”, – deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

“Fronti Evropian” është front për Evropë kundër Rusisë, front për ardhmëri, deklaroi kreu i ASh-së, njëherit edhe bartës i listës në njësinë e 5-të zgjedhore, Ziadin Sela, duke iu drejtuar simpatizantëve të “Frontit Evropian” pas shpalljes së rezultateve për rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale.

“Bashkërisht e ndërtuam dhe që është shumë kuptimplotë front për Evropë, front kundër Rusisë, front për ardhmëri, front për perspektivë dhe front për një Maqedoni të Veriut evropiane.”, – u shpreh bartësi i listës në njësinë e pestë, Ziadin Sela.

Ndërsa kreu i PDSh-së, Menduh Thaçi, partia e të cilit është pjesë e “Frontit Evropian”, tha se gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare, si kandidat për deputet, gjuha e tij nuk do të jetë aq e ashpër sa në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale.

“Edhe gjuha e ashpër e imja e raundit të parë nuk do të përdoret në raundin e dytë. Ju lus të gjithë ata që kanë votuar jo pro nesh, ti llogaritni vëllezërit tanë dhe që nesër të bisedojmë me ta.”, – theksoi kandidati për deputet në njësinë e 6-të, Menduh Thaçi.

Thaçi tha se lufta kundër “Frontit Evropian” nuk është luftë partiake, por luftë e armiqve të shqiptarëve të Rusisë dhe Beogradit, prandaj tha se dhe gjuha e tij gjatë fushatës ka qenë e ashpër. Liderët e “Frontit Evropian” kërkuan përkrahjen e qytetarëve për zgjedhjet parlamentare të 8 Majit nga të gjithë qytetarët, si dhe angazhim nga të gjitha shtabet komunale të koalicionit për të arritur rezultat sa më të mirë në zgjedhjet parlamentare, që vendi të vazhdojë rrugën evropiane dhe deri në vitin 2030 Maqedonia e Veriut të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Në të kundërtën, sipas këtij koalicioni, ka forca të cilat dëshirojnë që Maqedoninë e Veriut ta çojnë drejt izolimit dhe stagnimit, që do të nxiste edhe më shumë migrimin e të rinjve.

Rexhepi dhe Grubi kërkuan dorëheqjen e Ganiut

Përfaqësuesit e “Frontit Evropian”, Skender Rexhepi dhe Artan Grubi, kanë kërkuar dorëheqje nga kryetari i komunës së Çairit, por edhe kryetarët e komunave të tjera të udhëhequra nga VLEN-i pas rezultateve të zgjedhjeve të djeshme presidenciale. Sipas tyre, ata nuk kanë më legjitimitet për të udhëhequr me komunat. Artan Grubi i rikujtoi pjesëtarët e koalicionit VLEN, që të mbajnë fjalën e tyre dhe të tërhiqen, siç tha ai, ashtu siç edhe kanë deklaruar para zgjedhjeve.

Të pyetur se cilin nga kandidatët presidencial do të përkrahin në rrethin e dytë, Skender Rexhepi deklaroi se do të vendosë udhëheqësia e “Frontit Evropian”, por ai personalisht ka qëndrimin se nuk duhet të përkrahen asnjëra nga partitë maqedonase në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Arsye për këtë, sipas tij, është mosgatishmëria e maqedonasve për të përkrahur një kandidat shqiptar në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Sipas tyre, shqiptarët, turqit, boshnjakët dhe romët, janë krenarë që janë pjesë e një fronti multietnik./TVM2