April 28, 2024
Maqedoni

Takim Gashi-Konjufca: Biseduam për hallet e përbashkëta kombëtare e shtetërore

Sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut e prita kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, mikun tim Glauk Konjufca, deklaroi kryetari i Alternativës Afrim Gashi.
“Përveç miqësisë sonë të hershme, sot kisha kënaqësi dhe mundësi që – në cilësinë e deputetit dhe kryetarit të Alternativës – me kryetarin e Kuvendit të Kosovës të bashkëbisedojmë edhe për marrëdhëniet e mira institucionale mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, duke mos mund t’i evitojmë as hallet tona të përbashkëta kombëtare dhe shtetërore.
Maqedonia e Veriut dhe Kosova nuk janë vetëm dy vende miqësore fqinje, por edhe dy shtete që kanë aspirata të përbashkëta euroatlantike dhe kjo është rruga në të cilën ato e ndihmojnë dhe e mbështesin njëra-tjetrën”, tha Gashi.

Në këtë aspekt, shtoi Gashi, ne jemi mbështetësit e Republikës së Kosovës në këtë rrugë.

“Ndërsa unë personalisht – edhe si kosovar me origjinë, por edhe si kryesues i grupit deputetëve të miqësisë mes dy kuvendeve – u zotova se do të jem zëdhënës në forcimin e kësaj miqësie dhe avancimin e këtij bashkëpunimi”, premtoi kryetari i Alternativës Afrim Gashi, pas takimit me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Afrim Gashi.