May 5, 2024
Maqedoni

Zgjedhjet 2024, VLEN-i vazhdon fushatën për parlamentaret

Koalicioni VLEN do të vazhdojë fushatën për zgjedhjet parlamentare të 8 Majit dhe presin të kenë rezultat më të mirë nga ai i rrethit të parë për zgjedhjet presidenciale. Duke folur në emër të koalicionit, kryetari i Lëvizjes “Besa”, njëherit edhe bartës i listës së kandidatëve për deputetë në njësinë e gjashtë zgjedhore, Bilall Kasami, tha se rezultati i zgjedhjeve presidenciale dëshmon se ata e kanë përkrahjen e shqiptarëve dhe presin që në zgjedhjet e 8 majit të rritet numri i votave për koalicionin VLEN.

“BDI arriti të shkatërrojë mundësinë që presidenti i parë shqiptar të zgjidhet tash në vitin 2024 në zgjedhje të drejtpërdrejta. Nëse do të donin vërtetë që presidenti i shtetit të ishte shqiptar, do të ishin koordinuar me ne për të pasur një kandidaturë të vetme shqiptare. Përveç kësaj, BDI do të shkruhet me shkronja të zeza në historinë e re politike, si një parti që punon kundër çështjes shqiptare, për horë të mbrojtjes së kriminelëve nga radhët e saj, pa hequr dorë nga të gjitha metodat kriminale. Ia vlejti sot dhe do të ia vlejë edhe më shumë më 8 maj. Populli tregoi se për kë voton, për koalicionin shqiptar vlen. Ato vota të cilat i kanë marr, të gjithë e dinë edhe ato votues të cilët kanë votuar për ata e dinë se si i kanë marr ato vota. Prandaj edhe një herë po e potencoj se po të kishte dashur BDI-ja që një kandidat shqiptar të shkonte në raundin e dytë, ata do të kishin bërë betejën që ky kandidat të jetë një kandidat dhe të shkojë në raundin e dytë. Vota e tyre po tregon që ka qenë për të përçarë votën shqiptare.”, – deklaroi Bilall Kasami nga koalicioni VLEN.

Njëherit nga koalicioni VLEN kanë shprehur falënderim deri tek të gjithë ata që votuan për kandidatin e tyre presidencial, Arben Taravari, e cila siç thuhet nënkupton mbështetje të padiskutueshme për koalicionin VLEN, si përfaqësues i vetëm legjitim i shqiptarëve. Gjithçka po shkon sipas planit, po hyjmë në fazën e ardhshme nga strategjia, e cila më 8 maj do të sjellë fitoren përfundimtare, theksojnë nga koalicioni i opozitës shqiptare. Nga VLEN-i paralajmërojnë vazhdimin e fushatës për zgjedhjet parlamentare të 8 Majit me takime me qytetarë dhe tubime në të gjitha vendbanimet shqiptare.