May 5, 2024
BallinaMaqedoni

Rasti “Vanja”, Supremja liroi nga paraburgimi të atin e Vanjës

Gjykata Supreme e pranoi ankesën për paraburgimin e babait të Vanjës, Aleksandar Gjorçevskit, i cili dyshohet se ka ndihmuar në rrëmbimin e vajzës së tij dhe prej dhjetorit ndodhet në paraburgim në burgun e Shutkës. Gjorçevski tani e tutje do të jetë në arrest shtëpiak.

“Këshilli për vepra penale ka marrë vendim me të cilin ankesa e të akuzuarit A.G. e deklaruar përmes avokatit të tij mbrojtës, Vlladimir Tufekxhiq, është pranuar dhe vendimi i Gjykatës së Apelit i datës 04.02.2024, është ndryshuar në atë mënyrë që masa e paraburgimit kundër të akuzuarit A.G. është anuluar dhe të akuzuarit i ka caktuar arrest shtëpiak dhe masë sigurie.”, njoftoi Gjykata Supreme.

Avokati i tij mbrojtës, Vlladimir Tufekxhiq, pas seancës tha se ende nuk ka prova kundër Gjorcevskit dhe se i dyshuari nuk mund të ikë, sepse pasaporta e tij nuk është më e vlefshme dhe se bashkëpunon me Prokurorinë në hetimin për vrasjen e vajzës së tij.

“Sa i përket dëshmive nuk kemi ndryshime, nuk është ofruar asnjë dëshmi e cila do të ishte në favor të asaj që e thekson Prokuroria Publike, sa i përket dyshimit për kryerje të veprës penale. Edhe komiteti i Helsinkut me kërkesën time realizoi takim me Aleksandrin, për sa i përket rrethanave që unë i potencoj, do të thotë për ushtrimin e torturës për çka ekzistojnë edhe dëshmi, e ato janë raportet nga Klinika, ku ai është dërguar për kontroll.”, – deklaroi avokati mbrojtës, Vlladimir Tufekxhiq.

Për vrasjen e 14-vjeçares, Vanja, janë edhe tre të dyshuar të tjerë, të cilët aktualisht ndodhen në paraburgim, ndërsa i dyshuari i parë, Lupço Palevski, është në pritje të ekstradimit nga Turqia. Të gjithëve iu atribuohet edhe vrasja e Pançe Zhezhovskit.