May 8, 2024
Maqedoni

Zgjedhjet 2024, VLEN-i synon rritjen e përkrahjes së qytetarëve

Koalicioni VLEN vazhdon fushatën për zgjedhjet parlamentare, ndërsa pretendon se gëzon shumicën e shqiptarëve. Nga ky koalicion synojnë rritjen e përkrahjes së qytetarëve në zgjedhjet parlamentare të 8 majit, thotë njëri nga liderët e koalicionit, kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, i cili njëherit është edhe bartës i listës së kandidatëve për deputetë në njësinë e dytë zgjedhore. Gashi thotë se ky koalicion është i vetmi që i përfaqëson shqiptarët në këto zgjedhje dhe medoemos VLEN-i duhet të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme.
“Maqedonia është një shtet pak i veçantë edhe në rajon, por edhe në Evropë, për shkak se partitë politike janë të organizuara mbi baza etnike. Beteja jonë politike ende zhvillohet në kampe etnike. Beteja e shqiptarëve është për të drejta kombëtare, për pozicion shtetformues dhe kushtetues dhe ne mendojmë se këtë betejë duhet ta vazhdojmë edhe më tej deri sa nuk realizohet barazia e plotë mes dy kombeve më të mëdha në vend, shqiptarëve dhe maqedonasve. Jam i bindur se ne do të jemi fitues në kampin shqiptar, ndërsa sa i përket legjitimitetit, pa asnjë diskutim VLEN-i do të duhet me doemos të jetë pjesë e pushtetit. Nuk guxon të ketë Qeveri pa VLEN-in, pasi ajo do të llogaritej se nuk ka legjitimitet të votës shqiptare. Është një rregull e pashkruar në Maqedoni, nuk bëhet qeveri pa një parti maqedonase dhe një shqiptare. Kësaj radhe, i vetmi koalicion që i përfaqëson shqiptarët është koalicioni VLEN.”, – deklaroi kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.
Shumica e shqiptarëve e duan ndryshimin, thonë nga koalicioni VLEN, të cilët njëherit theksojnë se fokusi i tyre si koalicion është puna për zgjedhjet e 8 majit, për të siguruar numër sa më të madh të mandateve për deputet. Pas përfundimit të zgjedhjeve do të udhëhiqemi nga interesi kombëtar i shqiptarëve, nga nevoja urgjente për pastrim të qeverisë nga korrupsioni dhe nga orientimi ynë i panegociueshëm properëndimor, theksojnë nga koalicioni VLEN. Ky koalicion ka paralajmëruar vazhdimin e fushatës në takime të drejtpërdrejta me qytetarë.