May 29, 2024
Maqedoni

Zvarritet hetimi i dytë për zjarrin në spitalin modular të Tetovës ku u dogjën 14 persona

Familjarët e viktimave janë shprehur se nëse rasti përfundon këtu, do të shkojnë edhe në Gjykatën e Strazburgut apo e njohur ndryshe si Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë 8 shtatorin e vitit 2021, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht. Ndonëse pati proces gjyqësor për këtë rast, të akuzuarit nuk u thirrën për shkaqet e zjarrit por për vepra tjera penale.

Me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës dhe ish drejtori ekonomik, kjo domethënë se ata nuk do të burgosen nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit u lirua nga akuza. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh.