Maqedoni

Zaev: “Ballkani i Hapur” ka transformuar rajonin, inkurajojmë Kosovën dhe Bosnjën për bashkëpunim

Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev nga Athina sot deklaroi se me iniciativën e “Ballkanit të Hapur” është përpjekur që Ballkanin nga një zonë konflikti ta shëndrojmë në një vend të paqes dhe stabilitetit.
“Të frymëzuar nga kjo qasje e Marrëveshjes së Prespës, në vitin 2019, Presidenti i Serbisë, Kryeministri i Shqipërisë dhe unë, atëherë si Kryeministër i Maqedonisë së Veriut, nisëm ‘Ballkanin e Hapur’. Ne kishim një synim të sinqertë për ta transformuar rajonin nga një zonë konflikti në një zonë miqësie dhe bashkëpunimi. Lidhja rajonale ka hapur perspektiva dhe mundësi të reja për zhvillim ekonomik, për një të ardhme të përbashkët, për popujt tanë”, tha ish-kryeministri Zoran Zaev në forumin “Economist” në Athinë.

Ai shtoi se Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan disa marrëveshje shumëpalëshe dhe dypalëshe për realizimin e të drejtave themelore për lëvizjen e lirë të njerëzve, produkteve dhe kapitaleve, si pjesë e përfitimeve të planifikuara për një bashkëpunim më të madh rajonal dhe promovimin e lidhjes ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Me zgjidhje të përbashkëta, në kohën e krizave globale, mund ta transformojmë Ballkanin në një vend të paqes dhe stabilitetit. Jemi të përkushtuar dhe inkurajojmë procesin e bashkëpunimit në Ballkan edhe për vendet tjera si Kosova, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi”, tha Zaev.