April 28, 2024
Kosovë

Kosova dhe Serbia përplasen në OKB

Kosova dhe Serbia shkëmbyen akuza gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku u diskutua për raportin për Kosovën të sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se me 24 shtator Kosova “ishte shënjestër e një akti të agresionit të kryer nga Serbia nëpërmjet grupeve terroriste dhe paraushtarake të saj”. Sipas saj Beogradi priste të “të kishte sukses në aneksimin e planifikuar të veriut të Kosovës sipas stilit të Krimesë. Ndërsa u zotua se nuk do të lejojnë kurrë Serbinë të përvetësojë territorin e tyre, presidentja theksoi para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit se Kosova donte paqen, ndërsa Serbia luftë.

“Është vetëm një e vërtetë që mund të dëshmohet dhe ajo është se Kosova ka qenë viktimë e një akti agresioni nga Serbia, se Serbia po terrorizon serbët që jetojnë në Kosovë për hir të ndalimit të integrimit të tyre në institucionet dhe shoqërinë e Kosovës; se Serbia dëshiron territorin e Kosovës të cilin nuk do ta marrë kurrë; që Kosova është pala konstruktive në dialog me historikun e zbatimit të shumicës dërrmuese të angazhimeve të saj, dhe se lista e moszbatimit nga Serbia është aq e gjatë saqë do të na duheshin shumë e shumë orë për ta diskutuar atë; se ne duam paqe dhe Serbia më 24 shtator ka treguar që fatkeqësisht do luftë, por ne nuk do t’i lëmë ta kenë”, tha Osmani.

Kryeministrja Ana Brnabic mohoi përfshirjen e Serbisë në sulmin ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator, dhe tha se ngjarjet ishin rezultat logjik i terrorit ndaj serbëve. Ajo akuzoi autoritetet e Kosovës për “fushatë të spastrimit etnik” dhe bëri thirrje që KFOR-i të marrë përgjegjësinë për sigurinë në veri të Kosovës.

“Kriza në Kosovë është përshkallëzuar, tragjikisht, por në mënyrë të parashikueshme, më 24 shtator, kur ndodhi konflikti i armatosur, mes një grupi serbësh të armatosur nga Kosova dhe formacioneve policore e paraushtarake te nxitura Prishtina. Hetimet po vazhdojnë për të dhënë të gjitha përgjigjet dhe për të hedhur dritë mbi të gjitha paqartësitë në lidhje me këtë ngjarje, përfshirë mënyrën se si humbën jetën dy nga tre serbët e plagosur, në atë që u duk të ishte një ekzekutim gjakftohtë pas ata u dorëzuan. Dua të pohoj me përgjegjësi se forcat e sigurisë së Beogradit apo të Serbisë, strukturat e sigurisë së Serbisë nuk kanë pasur asnjë lidhje me këtë ngjarje”, deklaroi kryeministrja e Kosovës.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në OKB, Robert Wood, tha se “duhet të ketë përgjegjësi të plotë” për personat e përfshirë në sulm duke kërkuar edhe ekstradimin e tyre.
“Duhet të ketë përgjegjësi të plot në pajtim me sundimin e ligjit për autorët e krimit. Individët që janë në vende të tjera duhet të ekstradohen në Kosovë”, tha Wood.

Ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya, akuzoi Kosovën për “shtypje” të serbëve, diçka që siç paralajmëroi mund të rikthejë në një konflikt të armatosur. Sakaq, shefja e misionit të UNMIK në OKB Caroline Ziadeh theksoi se përgjegjësit e sulmit duhet e të përballen me drejtësinë dhe palët të rikthehen në tryezën e dialogut.