May 5, 2024
Kosovë

Xhamia e Çarshisë do të rihapet ditë e premte

Imami Idriz Xhikoli, ka thënë se pasi që ka përfunduar procesi i restaurimit, Xhamia e Çarshisë pritet të rihapet këtë të premte ose të premten e ardhshme.

Në një intervistë për emisionin “Sot” të KTV-së, Xhikoli ka theksuar se restaurimi i nisur në vitin 2021 ka përfunduar këtë muaj.

“Xhamia është vendosur të mbyllet në vitin 2011 për shkak të restaurimit që e ka filluar Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Prishtinës, por atyre nuk u kanë mjaftuar mjetet që ta përfundojnë, atëherë në tetor të vitit 2022 është vendosur që Agjensioni i Kulturës i Turqisë ‘TIKA’ ta marrë përsipër dhe restaurimi ka përfunduar këtë muaj”, ka theksuar Xhikoli.

Ai ka thënë se kjo është xhamia më e vjetër jo vetëm në Kosovë për edhe në Ballkan. “Restaurimi është kryer nga fillimi në mbarim, kjo numërohet si xhamia më e vjetër jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan, është ndërtuar para 582 vjetëve dhe kostoja për restaurimin e saj ka qenë shumë e madhe”, është shprehur Xhikoli.

Ai ka treguar se ndërtimi i xhamisë ka filluar në vitin 1389 dhe ka zgjatur 51 vjet, deri në viti 1440.