May 25, 2024
Maqedoni

“Intelektuale dhe atdhetare e vërtetë!” Shkrimtari nga Shkupi dedikim për ish arsimtaren e tij tani e pensionuar!

ZONJË SHADIJE SHASIVARI – ARSIMTARJA E GJUHËS DHE LETËRSISË SHQIPE

Zonjë Shadije Shasivari plot katër vite, në periudhën kohore 1980/84, na e ka ligjëruar lëndën e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Shkollën Fillore “Imri Elezi” në komunën e Çairit në Shkup.
Ajo ishte një zonjë shumë sharmante, e disiplinuar dhe shumë inteligjente. Si Arsimtare ia kishim lakminë për oratorinë e theksuar, rrjedhshmërinë natyrale të fjalëve dhe ligjërimin me nivelin më të lartë të gjuhës dhe letërsisë shqipe.
Atë e respektonin dhe e çmonin shumë kolegët dhe koleget e shkollës. I respektonte dhe çmonte ata edhe ajo. E respektonim dhe çmonim shumë edhe ne nxënësit e nxënëset.
Ajo ishte edhe atdhetare e flaktë, kështu që shpesh herë na ligjëronte edhe për vlerat më substanciale të historisë, identitetit, folklorit, artit, kulturës dhe qytetërimit kombëtar shqiptar. Do të thotë, falë ligjërimeve të saj, ne u furnizuam me edukatë dhe arsimim të mirëfilltë e të shëndoshë kombëtar. Madje-madje, ajo ishte edhe një luftëtare e madhe për dominimin e dygjuhësisë në shkollën tonë: shqip-maqedonisht. Rrjedhimisht ajo ishte edhe pjesëmarrëse e gjitha protestave që organizoheshin në shkollën tonë edhe nga arsimtarë të tjerë për zyrtarizimin e gjuhës shqipe paralelisht me atë maqedonase.
Falë Zotit, unë isha nxënës i dalluar dhe shembullor në lëndën e saj. Falë edukimit dhe arsimimit që ajo më dhuroi, unë me dekada deri më sot e flas dhe drejtshkruaj gjuhën tonë amtare në nivel solid. Dorën në zemër, çdo nxënës e nxënëse ka përfituar shumë nga ligjërimet e saj, meqë me metodat më të sofistikuara dhe më të përshtatshme ajo na i përcillte mësimet themelore nga sintaksa dhe morfologjia e gjuhës sonë të bukur e të bekuar shqipe, si dhe nga letërsia e saj.
Rrjedhimisht, falë saj dhe gjithë mësuesve, arsimtarëve dhe profesorëve të tjerë, unë deri më sot kam botuar dy libra të përkthyera nga gjuhë të huaja dhe jam autor i 23 librave të botuar, si dhe i kam përfunduar 4 dorëshkrime të tjerë, që presin ditën e botimit të ardhmen.
Zonja Shadije, pas çdo pushimi dimëror dhe veror na jipte për detyrë shtëpie të shkruajmë nga një tregim o rrëfejzë për mbresat tona nga pushimet. Dhe ato tregime tonat ajo i lexonte me vëmendje dhe na i jipte notat përkatëse. Ajo kërkonte nga ne rregullisht që të lexojmë shumë edhe lektyra, novela dhe romane, pse jo edhe poezi nga poetët e poetet e spikatura të kombit. “Vetëm në këtë mënyrë, përmes leximit pra, ju mund ta përvetësoni në nivel ligjërimin shqip dhe drejtshkrimin tonë në gjuhën amtare!”, – na thoshte shpesh herë ajo neve nxënësve në klasë.
Në orët e saj ne mësuam biografitë e poetëve dhe shkrimtarëve më të famshëm shqiptarë, si dhe të gjuhëtarëve dhe kritikëve letrarë, të cilët kontribuuan shumë në zhvillimin e gjuhës dhe letërsisë shqipe, si për shembull për: Jani Vreton, Konstandin Krisroforidhin, Zef Skiroi, Aleksandër Xhuvanin, Ndre Mjedën, Asdrenin, Jeronim De Radën, Zef Seremben, Naim e Sami Frashërin, Muhamet Kyqyku Çamin, Hasan Zyko Kamberin, Nezim Frakullën, Zenel Bastarin, Gjergj Fishtën, Hafiz Ali Korçën, Shtjefën Gjeçovin, Fan Nolin, Migjenin, Andon Zako Çajupin, Mitrush Kutelin, Lasgush Poradecin, Murat Isakun, Abdulaziz Islamin, Ernest Koliqin, Ali Podrimjen, Azem Shkrelin, Adem Demaçin, Ismail Kadarenë e shumë të tjerë. Gjithashtu edhe për letrarët klasikë si: Gjon Buzuku, Bardh Frangu, Pjetër Bogdani, Pjetër Budi e të tjerë.
Madje-madje, ajo ishte edhe mjaftë strikte e rigoroze në orët e mësimit, duke kërkuar nga ne disiplinë, mirësjellje dhe vëmendje të thellë në dëgjimin e ligjëratave të saj. Dorën në zemër, nuk ka nxënës e as nxënëse që nuk i ka përvetësuar në mësim ligjëratat e saj, sepse gjuha e saj ligjërimore ishte sa e qartë aq edhe tërheqëse për neve.
Nga duart e saj dolën me dhjetëra gjenerata nxënësish e nxënësesh.
Kur për shkaqe shëndetësore mungonte në shkollë, atë e zëvendësonte arsimtari i gjuhës dhe letërsisë shqipe z. Kadri Lamallari, ndonjëherë edhe z. Ismail Ismaili.
Pas katër dekadave të punës së saj edukativo-arsimore në mësimdhënie, ajo tashmë e gëzon pensionin nga frytet e saj të punës me shumë djersë, angazhim, dinjitet dhe fisnikëri.
I lumtë! Zoti e bekoftë!

Me nderimet dhe konsideratën më të lartë për arsimtaren tonë të dashur, Zonjën Shadije Shasivari:

Ish-nxënësi Zekerija Idrizi
Lagjeja e Dizhonit, Çair, Shkup